Izraeli vrau disa nga gjeneralët dhe shkencëtarët më të lartë të Iranit në një sulm shkatërrues në shkallë të gjerë që e shtyu Lindjen e Mesme në një luftë të re. Cilët janë zyrtarët e lartë që u eliminuan në sulmet shkatërruese izraelite.
Gjeneral Major Mohammad Bagheri
Si shef i shtabit të forcave të armatosura të Iranit, Bagheri ishte komandanti më i lartë ushtarak i vendit.
Ai ka lindur në vitin 1960 dhe mori pjesë në pushtimin e ambasadës amerikane si student universiteti në vitin 1979 dhe iu bashkua Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) gjatë luftës Iran-Irak, sipas Institutit të Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt.
Pas një karriere të gjatë në inteligjencën ushtarake, ai u nxor nga hija nga udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, dhe u vu në krye të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura në vitin 2016. SHBA-të i vendosën sanksione në vitin 2019 si një nga “zyrtarët e pazgjedhur që rrethojnë udhëheqësin suprem të Iranit”.
Gjeneral Major Hossein Salami
Salami, 65 vjeç, kishte qenë komandant i përgjithshëm i IRGC-së, forcës kryesore ushtarake të Iranit, që nga viti 2019. Ai ka përdorur rregullisht retorikë të ashpër kundër Izraelit dhe SHBA-së, duke thënë muajin e kaluar se Irani do “hapte portat e ferrit” nëse sulmohej.
Salami u bashkua me rojen në vitin 1980, duke komanduar përfundimisht forcat e saj ajrore. Ai u vu nën sanksione nga OKB-ja në vitin 2006 dhe SHBA-ja në vitin 2007 për përfshirje në programin bërthamor të Iranit. Ai u bë zëvendëskomandant në vitin 2009 dhe u ngrit në detyrën e komandantit një dekadë më vonë. Pasi një sulm me dron amerikan vrau një udhëheqës të IRGC-së në vitin 2020, Salami kërcënoi me hakmarrje dhe shpejt lëshoi raketa në dy baza që strehonin trupa amerikane në Irak.
Vitin e kaluar, Salami tha se sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Iranit ndaj Izraelit krijoi “një ekuacion të ri” në rajon.
Ali Shamkhani
Shamkhani shërbeu si zyrtari më i lartë i sigurisë së Iranit dhe një këshilltar i lartë i Khameneit. Ai mbajti rolin e sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare për një dekadë deri në shkarkimin e tij në vitin 2023, duke përfaqësuar Teheranin në bisedimet me Arabinë Saudite atë vit që çuan në fund të një përçarjeje shtatëvjeçare dhe rivendosjen e lidhjeve diplomatike.
Gjeneral Major Gholamali Rashid
Rashid, i lindur në vitin 1953, shërbeu si zëvendëskomandant i përgjithshëm i forcave të armatosura për 17 vjet, deri në vitin 2016. Më pas ai u bë komandant i Shtabit Qendror Khatam al-Anbia, një qendër strategjike e ngarkuar me planifikimin dhe bashkërendimin e operacioneve të përbashkëta ushtarake midis forcave të armatosura të Iranit. Rashid u sanksionua nga SHBA-të si anëtar i “rrethit të brendshëm” të Khameneit në vitin 2019 dhe nga BE vitin e kaluar për ndihmën në furnizimin me dronë të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës.
Fereydoon Abbasi
I lindur në vitin 1958, Abbasi ishte ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit dhe anëtar i IRGC-së. Ai u plagos në një atentat nga Izraeli në vitin 2010, ku një motoçiklist i vuri një bombë makinës së tij. Ai u vu nën sanksione nga OKB-ja në vitin 2007 për përfshirje në “aktivitete raketore bërthamore ose balistike” dhe nga SHBA-ja për punën në pasurimin e uraniumit në vitin 2012.
Ai mbante një doktoraturë në fizikë bërthamore dhe ishte një “specialist lazerësh” dhe “ekspert në ndarjen e izotopeve bërthamore”, sipas departamentit të shtetit të SHBA-së. Ai kishte qenë profesor në Universitetin Shahid Beheshti.
Mohammad Mehdi Tehranchi
Tehranchi, i lindur në vitin 1965 në Teheran, ishte fizikant teorik dhe president i Universitetit Islamik Azad në Teheran, si dhe profesor në Universitetin Shahid Beheshti.
FT – Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani