Forcat zjarrfikëse në Turqi janë angazhuar intensivisht në 24 orët e fundit për të përballuar dhjetëra vatra zjarri në provincat Izmir, Denizli, Aydın dhe Manisa.
Një nga zjarret më të rrezikshme shpërtheu në kufirin mes rajoneve Menderes dhe Seferihisar në Izmir, duke u përhapur me shpejtësi në zonat e banuara. Autoritetet kanë evakuuar të paktën 10 vendbanime me mbi 550 banorë, shumica prej tyre në zonën e Seferihisarit. Rasti më i vështirë nga ekipet e emergjencave civile u konsiderua shpëtimi i një burri të moshuar që ishte në karrige me rrota. Zjarri ishte aq i fuqishëm sa u pa edhe nga ishujt grekë, ndërsa hiri arriti deri në Patmos. Fluturimet në aeroportin Adnan Menderes u pezulluan përkohësisht. 625 zjarrfikës, 6 helikopterë dhe 46 automjete zjarrfikëse u përfshinë në operacionin e shpëtimit.
Sipas Ministrit të Drejtësisë, Yılmaz Tunç, në kuadër të hetimit të nisur nga Prokuroria e Izmirit për zjarrin në Izmrir , është arrestuar një person i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme me benzinë. Në total, 17 persona janë arrestuar në disa provinca të Turqisë gjatë periudhës 26-28 qershor, në lidhje me zjarrvënie në pyje.
Vetëm ditën e diel, në Turqi u regjistruan 77 zjarre, 53 prej tyre në pyje, ndërsa brenda një muaji janë shuar 1,459 vatra zjarri. Në Seferihisar janë shkatërruar disa banesa, ndërkohë që zjarri vijon prej gati 24 orësh pa u vënë nën kontroll. Erërat e fuqishme kanë penguar ndërhyrjen ajrore, por autoritetet shpresojnë që kushtet të përmirësohen sot për të angazhuar më shumë avionë dhe helikopterë.
Ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve, İbrahim Yumaklı, deklaroi se vendi po perballet me 9 zjarre të mëdha, ku tre vatra janë jashtë kontrollit.