Besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë festojnë këtë të premte festën e Kurban Bajramit.

Mëngjësin e kësaj të premte, me mijëra besimtarë të besimit islam e kanë nisur me faljen e namazit në xhami apo në sheshet kryesore.

Vlorë

Ceremonia ka filluar në orën 6:30 me lexim të Kuranit, më pas me ligjërata dhe në orën 7:00 me faljen.

Me qindra besimtarë kanë qenë të pranishëm e ditën e sotme në ambientet e Pallatit të Sportit Vlorë, për shkak se xhamia e Vlorës është e mbyllur që pas përmbytjes.

Ceremonia është drejtuar nga Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhleku. Ai ka uruar besimtarët në këtë ditë dhe ka bërë mesazh për paqe kudo në botë

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë jo vetëm qytetarë vlonjatë, por edhe të huaj që punojnë e jetojnë në Vlorë.

Shkodër

Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Shkodër, besimtarët muslimanë kanë festuar festën e Kurban Bajramit. Në fjalën e tij para faljes së namazit të Kurban Bajramit, zv myftiu i Shkodrës, Arben Halluni, u ndal për të folur për fenomenin e largimit të shqiptarëve.

Ai tha se po lënë prindërit të gjallë dhe i gjejnë të vdekur. ‘Thirrja jonë e vazhdueshme është që mos të braktisin vendin dhe të mos largohen pa u përpjekur këtu’ – u shpreh Halluni…

Ikja nuk është zgjidhje dhe nuk mund të presim që të tjerët të na ndërtojnë kombin, sepse ne jemi përgjegjës, ashtu siç janë edhe ata që na drejtojnë – shtoi Halluni…

Falja e namazit të Kurban Bajramit u organizua në sheshin pranë xhaminë Ebu Bekër në qytetin e Shkodrës.

Fushë Krujë

Stadiumi i qytetit të Fushë Krujës i tejmbushur nga besimtarët në faljen e Kurban Bajramit. Që në orët e para të mëngjesit, besimtarët myslimane janë mbledhur për familjen e Kurban Bajramit.

Hoxha Muharrem Vrana dhe Myftiu Dritan Rrahmani janë lutur me rastin e kësaj feste, duke dhënë dhe mesazhe për besimtarët.Shumë nga besimtarët janë përgatitur për kurban, e cila është dhe simboli i kësaj feste.

Elbasan

Edhe në Elbasan u krye falja e namazit nga besimtarët myslimanë. Falja u drejtua nga Myftiu Agim Duka.

Fier

Festa e Kurban Bajramit ka nisur herët në mëngjes në sheshin qendror të Fierit. Ceremonia ka filluar në orën 106:15 me lexim të Kuranit, më pas me ligjërata dhe me faljen e mëngjesit.

Me qindra besimtarë e besimtare kanë qenë të pranishëm në faljen e Namazit. Ceremonia është drejtuar nga Imami i xhamisë së Fierit Mikel Hazizolli.

Ai apeloi për harmoni, përkushtim dhe devotshmëri ndaj Zotit duke i shërbyer familjes dhe njeri-tjetrit.

“ O ju njerëz shpërndajeni faljen, harmoninë gjithë njerëzimit, shpërndajeni paqen me njeri-tjetrin, behuni bamires”, citoi ai pejgamberin Muhamet duke rikujtuar Kuranin e Shenjtë që ndalon luften, vrasjen e fëmijëve dhe të pafajshmëve

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë jo vetëm qytetarë fierake, por edhe të huaj që punojnë e jetojnë në Fier.