Mijëra kilometra larg kufirit ukrainas, në vende krejtësisht të paarritshme, Ministria Ruse e Mbrojtjes ka zhvendosur bombarduesit, të cilët i shpëtuan shkatërrimit në operacionin e inteligjencës ukrainase “Rrjeta e Merimangës”, gjatë të cilit, sipas vlerësimeve, u shkatërruan rreth 40 avionë strategjikë.

“Kasaforta” e re për bombarduesit rusë sapo u bë distrikti autonom i Çukotkës dhe qendra e tij administrative, qyteti i Anadyrit. Qyteti më lindor i Rusisë, Anadyr, ndodhet përgjatë bregdetit të Gjirit të Anadyrit, në Detin Bering, rreth 6,600 kilometra nga kufiri ukrainas.

Për kamionët me dronë dhe pajisje të tjera ushtarake, terreni është pothuajse plotësisht i paarritshëm, pasi nuk ka rrugë që të çojnë në këtë bazë. Qasja është e mundur vetëm duke përdorur një numër të kufizuar automjetesh off-road, ndërsa logjistika e plotë mbështetet në transportin ajror dhe transportin e herëpashershëm me anije.

Imazhet më të fundit satelitore të bazës ushtarake, e cila funksionon edhe si aeroport civil, kanë zbuluar praninë e një bombarduesi strategjik Tu-160. Imazhi satelitor Sentinel, i marrë më 4 qershor, tregon qartë një avion të madh që ekspertët e kanë identifikuar si një Tu-160, me një trup të rrafshuar karakteristik dhe një hapje krahësh prej 55.7 metrash.

Vetëm dy ditë më parë, më 2 qershor, ai aeroplan nuk ishte në pistë, dhe imazhet satelitore nga muajt e mëparshëm tregojnë se bombarduesit strategjikë nuk janë shfaqur atje, përveçse në vitin 2024 gjatë ushtrimeve ushtarake.

Me sa duket, Tu-160 u zhvendos në Anadyr për ta mbrojtur atë nga sulme të mëtejshme ukrainase, siç ishte ai i operacionit “Rrjeta e Merimangës”.

Edhe pse Rusia filloi ndërtimin e autostradës Kolima-Anadir në vitin 2012, e cila duhej të përfundonte deri në vitin 2024, vetëm 230 kilometra nga 2,300 kilometrat e planifikuar janë ndërtuar deri më sot, pra 10% në dhjetë vjet.

Pikërisht për shkak të këtij izolimi, përdorimi i bazës Anadyr për sulme ndaj Ukrainës është i pamundur. Megjithatë, baza ndodhet vetëm 500 kilometra nga kufiri amerikan, i cili, sipas konsideratave ruse të sigurisë, është një pozicion strategjikisht më i favorshëm dhe më i sigurt.

Tupolev Tu-160 njihet ndryshe edhe si “Mjellma e Bardhë” e ushtrisë ruse, ndërsa në Perëndim njihet me emrin e vendosur nga NATO, “Blackjack”.

Ai është një bombardues strategjik supersonik me rreze të gjatë veprimi dhe gjeometri të ndryshueshme krahësh, i zhvilluar gjatë epokës sovjetike nga Byroja e Dizajnit Tupolev. Ai hyri në shërbim operativ në vitin 1987 dhe deri në vitin 2016 Forcat Ajrore Ruse me rreze të gjatë veprimi kishin rreth 20 prej këtyre avionëve, disa prej të cilëve ishin modernizuar me sisteme moderne elektronike.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, Tu-160 është “avioni luftarak më i madh dhe më i rëndë dhe bombarduesi më i shpejtë” në flotën aktuale të Forcave Ajrore Ruse. Për shkak të ngjyrës së bardhë të jashtme, ai njihet edhe si “Mjellma e Bardhë” midis pilotëve dhe teknikëve.