Qendra e një prej qyteteve më të mëdha të Amerikës u kthye në një skenë kaosi dhe paligjshmërie, ndërsa protestat, të cilat më parë kishin qenë kryesisht paqësore, u shndërruan në të dhunë e përplasje.
Kritikët e Donald Trump thanë se vendimi i presidentit për të vendosur trupa të Gardës Kombëtare, nxiti tensione të mëdha.
Autostrada kryesore që kalon në qendër të qytetit, u mbyll për pjesën më të madhe të kohës, ndërsa policia dhe protestuesit u përballën me njëri-tjetrin. Shishe dhe predha u hodhën drejt policisë, e cila u përgjigj duke përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Vendimi i Trump për të thirrur 2,000 trupa të Gardës Kombëtare, disa qindra prej të cilëve ishin në rrugët e Los Anxhelosit të dielën, u mor pa konsultim me guvernatorin e Kalifornisë dhe kryetarin e bashkisë së Los Anxhelosit, dhe shënoi një përshkallëzim të jashtëzakonshëm të situatës. Ushtria u vendos të dielën në mëngjes dhe iu urdhërua të ruante ndërtesat federale, pas dy ditësh protestash kundër oficerëve të Imigracionit dhe Doganave.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i ka quajtur veprimet e Donald Trump si veprime të një “diktatori, jo të një presidenti”. Ai i ka kërkuar zyrtarisht administratës Trump të tërheqë Gardën Kombëtare.
Shtëpia e Bardhë thotë se ushtria do të mbetet atje derisa të rivendoset rendi. Pesëqind marinsa janë ende në gatishmëri.
Shefi i policisë së Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit, Jim McDonnell, i pyetur nëse Garda Kombëtare ishte e nevojshme, tha: “Kjo gjë ka dalë jashtë kontrollit”. Lidhur me këtë situatë janë edhe dhjetëra të arrestuar.