Partitë opozitare holandeze të mërkurën kërkuan zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur, pasi koalicioni qeveritar u shpërbë.

Frans Timmermans, lideri I opozitës së majte, kritikoi kryeministrin në detyrë Dick Schoof që bëri koalicion me populistët e djathtë.

Ai u bëri thirrje të gjitha partive që të mos lejojnë në pushtet dikë që e çon vendin në paralizë dhe nuk ofron zgjidhje.
Ekstremistët e djathtë të Geert Wilders lanë qeverinë katërpartiake, duke e çuar vendin drejt një krize politike.

Administrata 11-mujore e kryeministrit Dick Schoof u shpërbë kur Wilders tërhoqi ministrat e tij të Partisë për Liri dhe hyn në histori si një nga qeveritë më jetëshkurtra në historinë politike holandeze.

Schoof dhe ministrat e tre partive të mbetura mbeten në pushtet si një qeveri e përkohshme.

Nuk është caktuar asnjë datë për zgjedhje të reja, por kjo nuk ka gjasa të ndodhë para vjeshtës.

Qeveria, me kompetenca të kufizuara, tani duhet të udhëheqë vendin për muaj të tërë para zgjedhjeve të reja.

Geert Wilders i Partisë për Liri doli i pari në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, por ai nuk arriti dot të formonte një koalicion qeverisës për të qenë kryeministër i vendit. Megjithatë sipas sondazheve të fundit, mbështetja ndaj tij ka ardhur në rënie.