Inteligjenca Artificiale tashmë po zbatohet edhe në fushën e mjekësisë, sipas corriere.it. Ajo tashmë mund të interpretojë edhe mamografitë dhe skanimet CT, ndihmon për të kuptuar më së miri fazën e një tumori si dhe ndihmon mjekun në identifikimin e objektivave të terapive dhe në zgjedhjen e barnave më të mira për të sulmuar kancerin.

”Inteligjenca artificiale është dhe do të jetë gjithnjë e më shumë një ndihmë e madhe në onkologji”, sipas kongresit të fundit të Shoqërisë Amerikane të Onkologjisë Klinike që përfundoi së fundmi në Çikago.
Në konferencën amerikane, tre seanca iu kushtuan të kuptuarit se si Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë onkologët dhe veçanërisht pacientët.

Sigurisht, ajo përdoret gjithnjë e më shumë që nga hartimi i studimeve eksperimentale dhe në diagnozë: një studim për shembull, ka treguar se është e dobishme për klasifikimin e tumoreve të gjirit me saktësi më të madhe diagnostikuese, duke njohur shprehjen e molekulave të synuara edhe kur ato janë në sasi minimale dhe duke hapur kështu rrugën për trajtime që përndryshe nuk do t’u propozoheshin pacientëve.

”Inteligjenca artificiale ofron mundësinë për ta bërë njohurinë mjekësore më të saktë dhe për këtë arsye edhe për ta bërë praktikën klinike më efikase. Sot, ajo përdoret tashmë për të interpretuar testet dhe për të mbështetur vendimet terapeutike, për të kuptuar më mirë simptomat e pacientëve dhe gjithashtu për të ofruar kujdes më të mirë, përmes mbështetjeve digjitale që mund t’i mbështesin ata në faza të ndryshme të trajtimit. Inteligjenca Artificiale mund të udhëheqë zgjedhjet klinike’’, shpjegon Debra Patt e Rrjetit të Onkologjisë të SHBA-së.

Megjithatë, Inteligjenca Artificiale nuk do t’i zëvendësojë mjekët dhe infermierët, përkundrazi do t’i ndihmojë ata të jenë më efikasë në marrëdhënien e tyre me pacientët.