Tensionet midis Izraelit dhe Iranit kanë arritur në nivelet më të larta historike, ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kanë bërë thirrje të drejtpërdrejta për ndryshim regjimi në Iran, duke përmendur edhe mundësinë e eliminimit politik të liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei. Por për iranianët, thirrjet e fundit nga Uashingtoni dhe Tel Avivi nuk janë të panjohura. Historia e tyre me ndërhyrjen amerikane për ndryshim regjimi fillon më shumë se shtatë dekada më parë – me grushtin e shtetit të vitit 1953, të udhëhequr nga CIA.

Në vitin 1951, kryeministri i zgjedhur demokratikisht i Iranit, Mohammad Mossadegh, ndërmori një hap të guximshëm: ai vendosi të nacionalizojë fushat e naftës, të cilat deri atëherë ishin nën kontrollin e kompanive britanike. Kjo lëvizje u përshëndet nga populli iranian si një fitore për sovranitetin kombëtar, por u pa si kërcënim i drejtpërdrejtë nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat ishin thellësisht të varura nga nafta e Lindjes së Mesme.

Në kulmin e Luftës së Ftohtë, nacionalizimi i naftës shihej nga Uashingtoni si një rrezik për shtimin e influencës sovjetike në rajon. Kjo shtyu CIA-n dhe shërbimin britanik të inteligjencës, që të ndërhynin në mënyrë të fshehtë.

Operacioni i koduar “Ajax” kishte për qëllim përmbysjen e Mossadegh dhe kthimin e Mohammad Shah Reza Pahlavi në pushtet si monark absolut.

CIA amerikane shpërndau materiale propagandistike kundër Mossadegh në mediat Iraniane ndërsa organizoi edhe protesta të paguara në rrugët e Teheranit.

Forca Pro Mohammad Shah Reza Pahlavi u anazhuan për të marrë kontrollin e insititucioneve.Brenda dy ditëve nga ardhja në pushtet e Gjeneral Fazlollah Zahedi si kryeminister I Ri I vendit CIA vuri në dispozicion 5 milionë dollarë për stabilitetin e qeverisë së re ndersa Mohammad Shah Reza Pahlavi ishte monark I vendit. Dokumente të deklasifikuara në vitin 2013 konfirmuan për herë të parë zyrtarisht rolin e CIA-s në grushtin e shtetit. Por edhe më herët, në vitin 2009, ish-presidenti Barack Obama e kishte pranuar publikisht ndërhyrjen në Iranin e vitit 1953 si një gabim historik.

Mbështetja amerikane për Shahun vazhdoi për dekada, por ajo u kthye në urrejtje të thellë ndaj Perëndimit nga pjesa më e madhe e iranianëve. Në fund të viteve ’70, miliona qytetarë dolën në rrugë për të rrëzuar regjimin e tij, duke akuzuar Shahun për korrupsion, shtypje dhe nënshtrim ndaj interesave amerikane.

Këto protesta çuan në Revolucionin Islamik të vitit 1979, ku Irani kaloi nga një monarki pro-perëndimore në një republikë islamike të udhëhequr nga klerikët, me Ruhollah Khomeini si lider suprem. Pas vdekjes së tij në vitin 1989 në pushtet erdhi ai qe sot eshte Lideri Suprem I Iranit Ajtollah Ali Khamenei.

Ali Khamenei është kreu i shtetit të Iranit për më shumë se tre dekada. Titulli i tij e vendos atë mbi presidentin, si udhëheqësi më i fuqishëm fetar dhe politik i vendit. Përveç pushteteve gjithëpërfshirëse në qeverisjen e vendit, Khamenei udhëheq gjithashtu regjimin fetar të vijës së ashpër që mori kontrollin e Iranit në revolucionin islamik të vitit 1979 duke mos lejuar asnje mundesi per mbajtjen e zgjedhjeve ne vend.

Sot, ndërsa Trump dhe Netanyahu flasin hapur për ndryshim regjimi në Teheran dhe për “largimin e Khameneit”, shumë analistë paralajmërojnë se një ndërhyrje e ngjashme mund të ketë pasoja edhe më të rënda, përfshirë destabilizim të mëtejshëm rajonal dhe përforcim të vijave të ashpra brenda vetë Iranit.

Për iranianët, kujtesa e 1953 nuk është thjesht një faqe në histori – është një çeshtje e hapur që ndikon edhe sot në mënyrën se si e shohin Perëndimin.