Një ish-analist i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Asif William Rahman, është dënuar me 37 muaj burg për rrjedhjen e dokumenteve sekrete që zbulojnë planet izraelite për një sulm ndaj Iranit.
Rahman, 34 vjeç, pranoi fajësinë në janar për dy akuza për mbajtje dhe shpërndarje të qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare, sipas Aktit të Spiunazhit.
Sipas autoriteteve amerikane, Rahman kishte përdorur autorizimin e tij të lartë të sigurisë për të printuar, fotografuar dhe shpërndarë dokumente të klasifikuara “Top Secret”, të cilat më pas u qarkulluan në rrjetet sociale.
Dokumentet, që mendohet të jenë publikuar për herë të parë në tetor 2024 në një kanal të lidhur me Iranin në platformën Telegram, duket se përfshinin vlerësime të SHBA-së mbi planet ushtarake të Izraelit përpara një sulmi ndaj Iranit, si dhe lëvizjet e aseteve ushtarake në përgatitje për operacionin. Njëri prej dokumenteve përmendte edhe kapacitetet bërthamore të Izraelit, të cilat zyrtarisht nuk janë pranuar asnjëherë nga Tel Avivi.
“Ky person për muaj të tërë tradhtoi popullin amerikan dhe betimin që kishte dhënë, duke nxjerrë disa nga sekretet më të ruajtura të vendit tonë,” deklaroi zëvendësprokurori për sigurinë kombëtare, John Eisenberg, në një njoftim për shtyp.
Dokumentet e rrjedhura mbanin klasifikimin “Top Secret” dhe ishin të destinuara vetëm për aleancën e inteligjencës “Five Eyes” – e përbërë nga SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Australia.
Në fund të tetorit, Izraeli ndërmori sulme ajrore ndaj disa objekteve ushtarake në Iran, në përgjigje të një vale raketash të lëshuara nga Teherani javë më parë.
I arrestuar nga FBI në Kamboxhia, Rahman u ekstradua në territorin amerikan të Guamit, ku dhe u përball me akuzat.
Për rrjedhjen e informacionit, ish-presidenti Joe Biden ishte shprehur “thellësisht i shqetësuar”.