Izraeli është i interesuar të vendosë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Sirinë dhe Libanin, deklaroi ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, gjatë një konference për shtyp të hënën.
Sipas Sa’ar, Izraeli mbetet i gatshëm për të hapur një faqe të re në rajon, por theksoi se çdo marrëveshje paqeje nuk do të përfshijë negociata për të ardhmen e Lartësive të Golanit, territor që Izraeli e aneksoi nga Siria në vitin 1981 dhe që mbetet një pikë e nxehtë në marrëdhëniet dypalëshe.
“Izraeli është i interesuar të zgjerojë Marrëveshjet e Abrahamit dhe procesin e normalizimit me vendet arabe. Kemi interes të shtojmë vende si Siria dhe Libani në rrethin e paqes, duke ruajtur njëkohësisht nevojat e sigurisë së Izraelit. Ne duam marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë, në të njëjtin nivel”, tha ai sipas asaj që raportojnë mediat. Ai shtoi se siguria e Izraelit dhe ruajtja e sovranitetit në këtë territor janë prioritete kombëtare.
Deri më sot, Izraeli ka marrëdhënie diplomatike me disa vende arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, në kuadër të Marrëveshjeve të Abrahamit.