Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi para gazetarëve se Izraeli nuk do të tërhiqet nga operacionet ushtarake kundër Iranit, pavarësisht presioneve ndërkombëtare dhe përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme. Komentet e tij vijnë në një moment kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së po mban një mbledhje urgjente në New York, thirrur nga Irani pas sulmeve të fundit ajrore amerikane në territorin iranian.
Në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, avionë luftarakë amerikanë ndërmorën një seri goditjesh të koordinuara ndaj tri objekteve kryesore të programit bërthamor iranian, përfshirë kompleksin nëntokësor të Fordow. Ky veprim shënoi përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara në konfliktin Izrael-Iran, duke rritur ndjeshëm tensionet në rajon.
Nga Izraeli, Netanyahu tha për gazetarët se “nuk do të lejojmë që të tërhiqemi në një luftë rraskapitëse, por as nuk do ta ndërpresim parakohe këtë fushatë jetike për sigurinë tonë kombëtare”.
Ai theksoi se Izraeli është shumë pranë përmbushjes së objektivave të tij strategjikë, duke përfshirë shkatërrimin e programit bërthamor iranian dhe të kapaciteteve të raketave balistike të Teheranit.
Duke iu referuar objektit të Fordow, të cilin SHBA e goditi me bomba speciale për depërtim në thellësi, Netanyahu tha se “kompleksi është dëmtuar rëndë”, megjithëse theksoi se “shkalla e plotë e dëmit do të vlerësohet në ditët në vijim”.
Deklaratat e kryeministrit izraelit pasojnë reagime të ashpra nga Teherani, i cili ka akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për “agresion të paprovokuar” dhe ka paralajmëruar se do të ushtrojë të drejtën për vetëmbrojtje.
Tensionet në rajon mbeten në nivel të lartë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon thirrjet për përmbajtje dhe rikthim në tryezën e negociatave.