Të dielën në mëngjes, më 22 qershor, janë raportuar shpërthime të fuqishme në qytetin jugperëndimor të Iranit, Bushehr, sipas raportimeve nga mediat shtetërore iraniane.

Bushehri, ku ndodhet e vetmja qendër bërthamore funksionale e Iranit, konsiderohet gjithashtu një port me rëndësi të lartë strategjike për shkak të pozicionit të tij pranë Gjirit Persik. Agjencia iraniane e lajmeve Fars njoftoi se sulmet kanë pasur si objektiv dy zona brenda qytetit, megjithatë nuk është bërë e ditur nëse centrali bërthamor është dëmtuar.

Vetëm disa ditë më parë, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, paralajmëroi për rreziqet serioze që do të sillte një sulm ndaj impiantit bërthamor në Bushehr, duke theksuar se një veprim i tillë mund të çonte në një nivel të lartë të çlirimit radioaktiv, me pasoja të rënda për popullatën në një rreze prej qindra kilometrash.

Sulmet ajrore nuk janë kufizuar vetëm në Bushehr. Edhe qyteti i Yazd, në pjesën qendrore të Iranit, ka qenë objektiv i goditjeve. Sipas agjencisë Mehr, dy zona ushtarake të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) janë shënjestruar nga bombardimet izraelite.