Ministria e Jashtme kineze tha se Kina është “shumë e shqetësuar” për “pasojat e rënda” që mund të sjellë sulmi i Izraelit ndaj Iranit.

“Kina kundërshton çdo shkelje të sovranitetit, sigurisë dhe integritetit territorial të Iranit, dhe kundërshton veprimet që përshkallëzojnë tensionet ose zgjerojnë konfliktin. Rigjallërimi i papritur i tensioneve në rajon nuk është në interesin e askujt”, u tha gazetarëve zëdhënësi Lin Jian.

“Kina u bën thirrje të gjitha palëve përkatëse të bëjnë më shumë për të promovuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Kina është e gatshme të luajë një rol konstruktiv në ndihmën për qetësimin e situatës.”, shtoi ai.

Izraeli sulmoi kryeqytetin e Iranit në mëngjesin e së premtes duke i goditur objektet e tij bërthamore dhe ushtarake, duke rritur mundësinë për një luftë të përgjithshme midis dy vendeve rivale në Lindjen e Mesme. Ky dukej të ishte sulmi më i madh që Irani e ka përjetuar që nga lufta me Irakun në vitet ’80.

Sulmi ndodhi në një kohë tensionesh të larta për shkak të përparimeve të shpejta të programit bërthamor të Iranit dhe nxiti kundërpërgjigje të menjëhershme, pasi lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballej me “dënim të ashpër”.

Pak orë më vonë, ushtria izraelite njoftoi ka filluar të rrëzojë dronët iranianë të nisur nga Teherani si hakmarrje për sulmin.
Një zyrtar izraelit tha se rrëzimi i dronëve po ndodh jashtë territorit izraelit, por nuk dha më shumë hollësi, pasi foli në kushte anonime.