Nga Mero Baze
Sali Berisha arriti një fitore të vogël, duke shmangur sulmet që po i vinin nga të gjitha anët, përfshirë edhe nga brenda PD, për humbjen dërrmuese në zgjedhje, duke kaluar nga akuza për “vjedhje votash” te akuza për “narkoshtet”.
Nëse sheh deklaratat që citojnë veten e tij nga takimet në mbledhjen e Partive Popullore, Berisha nuk ankohet më për “vjedhje votash”, por për “narkoshtet”.
Dhe kjo ka qenë, taktikisht, një lëvizje e zgjuar e tij për të shmangur furinë e sulmeve që kishin nisur ndaj tij edhe nga vetë opozita.
Duke folur për “vjedhje votash”, ua ngrinte nervat të gjithëve – më shumë të vetëve, se ata e kanë hallin. Deri më tani, i vetmi rezultat nga akuzat për “vjedhje votash” është vjedhja e mundshme e votave brenda listës së PD, nga njëri-tjetri. Pra, ai deputet demokrat që ka pasur më shumë lekë apo më shumë banditë, ka mundur t’i vjedhë votat një deputeti tjetër, duke u rritur fiktivisht me votat e atyre që kanë votuar vetëm siglën e PD-së.
Kështu që i gjithë debati i tij për vjedhje votash prodhonte reaksion edhe brenda opozitës dhe e vinte Berishën në pozitë edhe më të vështirë. Përveçse e nxirrte burracak, të paaftë dhe gënjeshtar me ato që ka thënë një ditë para zgjedhjeve, e bënte edhe më të sulmueshëm.
I vetmi shpëtim në raste të tilla është të diferencosh sulmuesit dhe të mbash përballë vetëm armiqtë politikë.
Dhe Berisha vendosi të mos flasë më për vjedhje votash, por të sulmojë Shqipërinë si “narkoshtet”. Sepse kështu e ka të sigurt që përballë do të ketë vetëm socialistët. Jo se vetëm atyre u dhemb Shqipëria, por sepse demokratët nuk janë ende në nivelin e duhur të guximit për t’u përballur me Berishën për Shqipërinë. Ata mezi hapin gojën edhe për votat e veta.
Dhe duke ngritur një akuzë shkatërruese ndaj Shqipërisë, ai tani ka 24 orë që argëtohet me këta që i thonë “antishqiptar”, “armik i Shqipërisë”, “njeri i zi”, etj.
Për të ka rëndësi që tani, kushdo nga të vetët që e sulmon për humbjen në zgjedhje apo për vota të vjedhura brenda partisë, të identifikohet me këta që e sulmojnë si armik të Shqipërisë dhe të futet në listën e armiqve.
Prioriteti i tij është si të mbijetojë pas kësaj disfate të thellë dhe si t’i bëjë të vetët të heshtin dhe të justifikojnë humbjen. Dhe e vetmja mënyrë është pikërisht kjo: të prodhojë një akuzë shumë herë më të rëndë kundër vendit, për të mobilizuar kundërshtarët e vet kundër tij, si mënyra e vetme që të vetët të ulin kokën dhe të fusin bishtin ndër shalë.
Këta që thonë “e duam Shqipërinë më shumë se partinë”, por jo më shumë se Salinë.