E shtuna e 7 qershorit pritet me interes nga tifozët e Kombëtares, pasi në orën 20:45 në “Arenën Kombëtare” të Tiranës luhet sfida kundër Serbisë, e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

Përballja është duke u trajtuar më shumë se një ndeshje futbolli nga tifozët, kjo për vetë historinë mes dy popujve dhe luftën që Serbia bëri në Kosovë. Në aspektin sportiv ka ardhur koha për t’i mposhur serbët për herë të parë në fushë, pasi në gjashtë takimet e mëparshme nuk kemi asnjë fitore, përjashto duelin e famshëm të 14 tetorit 2014 në Beograd, kur ekipi ynë u dhunua në fushë dhe CAS në Lozanë na dha tri pikë dhe fitoren 0-3 në tavolinë.

Statistikat dhe përballjet Shqipëri – Serbi

Përballjet mes dy skuadrave datojnë që në 7 tetorin 1946 në një ndeshje në “Qemal Stafa” të Tiranës. Kombëtarja jonë mposhtej 2-3 nga ish-Jugosllavia e asaj kohe për Kampionatin Ballkanik. Po në Tiranë më 14 shtator 1947, Shqipëria humbiste sërish 2-4 nga ish-Jugosllavia. Ndeshja e radhës ishte në Beograd, me dy skuadrat që barazuan 0-0, më 27 qershor 1948.

Pas 19 vitesh dy skuadrat u përballën sërish në Tiranë më 14 maj 1967, me ish-Jugosllavinë që fitoi 0-2 në “Qemal Stafa” për kualifikueset e Europianit 1968. Në ndeshjen e kthimit në Beograd, ishin vendasit që fituan 4-0 kundër tanëve më 12 nëntor 1967.

Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dy skuadrat u përballën më 14 tetor 2014 në Beograd, në ndeshjen që Shqipëria e fitoi 0-3 në tavolinë, por që nuk quhet një fitore në fushë. Sfida e kthimit në “Elbasan Arena” u fitua nga Serbia 0-2 më 8 tetor 2015.

Në total, hiq fitoren 0-3 në tavolinë të Shqipërisë, Serbia na ka mposhtur pesë herë dhe skuadrat në një rast janë ndarë në barazim. Katër gola ka shënuar ekipi ynë, kundrejt 15 të pësuarve. Duket se ka ardhur koha që Shqipëria të fitojë në fushë kundër Serbisë dhe ndeshja e radhës është pranë, edhe pse me shumë emocione.