Për të mbrojtur oqeanet, në Nicë të Francës është mbledhur bashkësia ndërkombëtare në Konferencën e OKB-së për Oqeanet (09.06 – 13.06.2025). Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mbrojë më mirë oqeanet.

Në hapje të Konferencës së tretë të Oqeanit të OKB-së në Nicë, Guterres tha se krerët e shteteve dhe qeverive duhet të nënshkruajnë një traktat që do t’u lejonte vendeve të krijonin zona detare të mbrojtura në ujërat ndërkombëtare. Peshkimi i paligjshëm, ndotja nga plastika dhe rritja e temperaturave të detit kërcënojnë ekosistemet e brishta dhe njerëzit që varen prej tyre.
Rezervat e peshkut po shemben, nivelet e detit po rriten dhe oqeanet po bëhen më acidikë.

Hapësirat e detrave dhe oqeanet janë habitati i mbi 250.000 llojeve – nga planktoni mikroskopik deri tek shkëmbinjtë gjigantë koralorë dhe balena blu, kafsha më e madhe e planetit. Për më shumë se një miliardë njerëz deti është burimi më i rëndësishëm i ushqimit. Cilat janë problemet më të rëndësishme të oqeaneve?

Pjesë të mëdha të jetës nënujore janë të rrezikuara, sepse Toka po ngrohet. Me rritjen e vazhdueshme të temperaturës koralet shpërbëhen dhe vdesin. Ndërkohë janë të prekura rreth 84% e të gjithë shkëmbinjve koralorë në mbarë botën. Nëse detrat krahasuar me periudhën paraindustriale do të ngroheshin me 1,5 gradë, shumica e koraleve do të asgjësoheshin. “Ngrohja me 2 gradë Celsius do të nënkuptonte shkatërrimin e pakthyeshëm”, thotë Katja Matthes, e cila drejton Qendrën Studimore GEOMAR në Kiel.
Meqënëse uji i ngrohtë mund të absorbojë më pak oksigjen, shumë qenie të gjalla janë në rrezik.

Rezultatet e studimeve të reja tregojnë, se ndërkohë deti po ngrohet deri në një thellësi prej 2.000 metrash. “Si pasojë po pakësohet oksigjeni për planktonin, peshqit dhe gjitarët e detit. Ne vërejmë zona të vdekura në Detin Baltik në Gjermani ku praktikisht nuk mund të ketë më jetë.”/dw/