Sikur të mos mjaftonte lufta tregtare, konflikti izrael-iran edhe pse po zhvillohet mijëra kilometra larg tokës amerikane nuk do ta kursejë as ekonominë e SHBA.

Amerika aktualisht është më pak e varur nga nafta e huaj dhe sipas kreut të Rezervës Federale Jerome Powell nuk ka një rrezik të një skenari të revolucionit Iranian të ndodhur në vitet 1970, që shkaktoi rënie të fortë të prodhimit global të naftës duke nxitur ccmime shumë të larta.

Por, ekonomistët nuk janë aq të bindur se konflikti nuk paraqet rrezik për ekonominë më të madhe të botës. Sipas ekonomistëve të JP Morgan, ekonomia e SHBA do të përballet me tronditje të shumta këtë vit dhe një prej tyre është pikërisht përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme.

Mbyllja e mundshme e ngushticës së Hormuzit siç ka kërcënuar Irani, do të çonte në rritje të kostove të energjisë, ndërsa transporti i naftës e gazit do ndërpritej. Kjo do të çonte automatikisht në çmime më të larta për konsumatorët. Ekzistojnë shumë pak mundësi alternative për të nxjerrë naftën nga ngushtica nëse ajo mbyllet tha Administrata Amerikane e Energjisë.

Ndërkohë, më optimistë janë analistët e Standard and Poor’s të cilët përjashtojnë mundësinë e një mbyllje të plotë, por vetëm kufizime në varësi të flamurit dhe destinacionit ku shkojnë anijet.

Përveç tarifave tregtare që efektet nuk janë transmetuar ende në mënyrë domethënëse, sipas ekonomistëve një rritje e çmimit të gazit për shkak të konfliktit do të godisnin fuqinë blerëse të familjeve në Amerikë. Kjo do të ushtronte presion mbi xhepat e tyre dhe inflacionin, duke rrezikuar ngadalësim më të theksuar të ekonomisë.