Koreja e Jugut ka pezulluar transmetimet me megafonë drejt Koresë së Veriut, si një hap për “rikthimin e besimit” mes dy vendeve. Ky vendim erdhi pas zgjedhjes së presidentit të ri, Lee Jae-myung, i cili premtoi përmirësimin e marrëdhënieve ndërkoreane.
Transmetimet ishin rifilluar në qershor 2024 pas një pauze gjashtëvjeçare, si përgjigje ndaj balonave me mbetje që veriorët dërgonin në jug. Megafonët transmetonin lajme dhe informacione për jetën në Korenë e Jugut dhe demokracinë, por Pjongjangu i konsideronte ato një akt lufte dhe kishte kërcënuar t’i shkatërronte.
Banorët pranë kufirit kanë mirëpritur vendimin për shkak të zhurmës së madhe, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut kanë kritikuar pezullimin, duke thënë se megafonët ishin një urë lidhjeje me popullin e Veriut.
Ushtria tha se pezullimi synon uljen e tensioneve dhe arritjen e paqes në Gadishullin Korean, por la të hapur mundësinë e rifillimit të transmetimeve në rast nevoje Marrëdhëniet ndërmjet Koresë së Jugut dhe Veriut kanë qenë të tensionuara, ndërsa dy vendet janë ende teknikisht në luftë që prej vitit 1953, pasi nuk është nënshkruar kurrë një marrëveshje paqeje.