Gjykimi ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska”, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në shtator të vitit 2023 po vazhdon këtë të hënë, me seancën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në këtë seancë dëshmon zyrtari policor në Njësinë për ndërhyrje të shpejtë, Alban Rashiti, i cili ishte plagosur në aksion.
“Informatën e parë për një veturë të dyshimta e kemi pranuar në ora 21.
Një veturë ka qene e parkuar në një livadh dhe informata per të është dhënë nga njësia për reagim të shpejtë dhe sipas tyre ajo veturë ka qenë e dyshimtë. Nga dhoma komanduese është konfirmuar se për këtë veturë nuk ka të dhëna në sistem”, ka thënë Alban Rashiti.
Ai ka treguar për shkuarjen e njësiteve të tjera të Policisë në vendngjarje, përfshirë edhe rreshterin e vrarë, Afrim Bunjaku.
“Sa kemi arritur në fshatin Banjska më saktësisht te ura, kemi vërejtur dy kamionë. Nga dhoma komanduese na është kërkuar te shkojmë në vendngjarje dhe mundësisht na janë kërkuar foto. Veturën e kemi parkuar diku 30 metra larg kamionëve. Ne terren jane afruar edhe 6 policë përfshirë të ndjerin Afrim Bunjaku. E kujtoj që rreshteri Afrimi ka ardhur dhe jemi konsultuar që t’i marrim disa pozicione dhe të jemi në gjendje gatishmëria pasi e dinim që mund të kishte rrezik”
Rashiti tutje ka rrëfyer momentin e vrasjes së rreshterit Bunjaku dhe plagosjen e tij. Ka shtuar se pas shpërthimeve, ka pasur gjuajtje nga dhjetëra pozicione në drejtim të tyre.
“Ndoshta kur jam larguar 3 apo 4 metra nga Afrim Bunjaku, nga ana e majtë ka ndodhë një shpërthim i papritur dhe jam plagosur në anën e majtë. Pa u vonuar shumë kanë filluar gjuajtjet me armë zjarri, kur kanë filluar kemi parë që ka gjuajtje nga tërë fshati, nga dhjetar pozicione me armë të kalibrave të ndryshëm, kemi filluar të kthejmë zjarrin, mirëpo në anën e majtë timen kam vërejtur se rreshteri Afrim Bunjaku ka mbetur i shtrirë dhe i gjakosur nga qafa teksa qendronte pa levizur”.
Rashiti thotë se terroristët po i vëzhgonin përmes dronit gjatë kohës sa kishte gjuajtje nga të dyja anët.
Sipas Rashitit, për përdorimin e armëve që janë përdorur duhet të ketë trajnime specifike. Ka theksuar se gjithçka ka qenë e koordinuar, pra sipas tij, ata kanë qenë një grup mirë i përgatitur dhe nuk ka qenë grup kriminal i zakonshëm.
Sulmi ne Basnjke u shenua ne 24 shtator 2023.
Sipas institucioneve kosovare të sigurisë, plani fillestar i sulmit ishte aneksimi i Veriut. Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe si rrjedhojë edhe disa terroristë serbë, ndersa si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.
Ky i fundit gjendet Radoiçiç gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.