Christian Chivu e ka nisur me një barazim aventurën e tij te Interi, duke barazuar 1-1 me Monterrey në ndeshjen e vlefshme për Grupin E në Kupën e Botës për Klube.

Sfida e luajtur në Pasadena nuk nisi si duhet për nënkampionët e Europës, të cilët e pësuan nga Sergio Ramos në minutën e 25’ të takimit. Gjithsesi ishte Lautaro që riktheu baraspeshën në minutën e 42’, me sfidën që më pas nuk prodhoi më gola.
Një moment historik ishte dhe për Kristjan Asllanin, i cili e nisi si titullar këtë ndeshje, duke u bërë lojtari i parë i Kombëtares shqiptare që luan në një Kupë Bote për Klube.

Interi dhe Monterrey numërojnë nga një pikë, teksa ndjekin River Plate që kryeson grupin pas fitores në ndeshjen e parë kundër Urawa Reds.