Zëvendëskryeministri kinez, He Lifeng, negociatori kryesor tregtar i Kinës me Shtetet e Bashkuara, tha të hënën se Pekini dhe Uashingtoni duhet të “forcojnë bashkëpunimin” dhe të shmangin “keqkuptimet”.
Pas muajsh tensionesh, dy fuqitë kryesore botërore njoftuan gjatë natës se kishin rënë dakord për një “kornizë të përgjithshme” për të lehtësuar mosmarrëveshjet e tyre tregtare, duke ua lënë presidentëve të tyre përkatës ratifikimin.
Ky ishte përfundimi i dy ditëve bisedimesh në Londër midis dy palëve, pas bisedimeve fillestare muajin e kaluar që çuan në një marrëveshje të përkohshme midis Pekinit dhe Uashingtonit për të ulur tarifat e vendosura nga secili vend ndaj tjetrit.
Të dy vendet bënë “përparim në adresimin e shqetësimeve ekonomike dhe tregtare të njëri-tjetrit” në kryeqytetin britanik, raportoi sot transmetuesi shtetëror kinez CCTV. “Të dy palët duhet që tani e tutje të vazhdojnë të zgjerojnë konsensusin e tyre, të zvogëlojnë keqkuptimet dhe të forcojnë bashkëpunimin e tyre”, tha He Lifeng, zëvendëskryeministri kinez.
Pas bisedimeve në Londër, sekretari i Tregtisë së SHBA-së, Howard Latnick, tha se ishte i bindur se çështja e shqetësimeve të vendit të tij në lidhje me aksesin në metalet e rralla të Kinës, një pikë fërkimi midis Pekinit dhe Uashingtonit, do të “zgjidhej”.
Marrëveshja e arritur në kryeqytetin britanik tani duhet të miratohet nga Presidenti Kinez Xi Jinping dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump, thanë negociatorët nga të dy vendet. Gjatë negociatave në Londër, Kina i tha SHBA-së se “duhet të ketë afrim të ndërsjellë midis dy vendeve, fjalët duhet të jenë detyruese dhe veprimet duhet të fillojnë”.
Të dy palët “patën një dialog të sinqertë dhe të thelluar”, sipas medias shtetërore CCTV. Pekini dhe Uashingtoni “arritën një marrëveshje në parim mbi një kornizë masash që synojnë zbatimin e konsensusit të rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shteteve gjatë telefonatës së tyre më 5 qershor”, shtoi CCTV, duke iu referuar bisedës së fundit midis Xi Jinping dhe Donald Trump.
Metalet e rralla të tokës, të cilat përdoren kryesisht në telefonat inteligjentë ose bateritë e automjeteve elektrike, furnizuesi kryesor i të cilave është Kina në mbarë botën, ishin në qendër të bisedimeve në Londër, pasi SHBA akuzoi Pekinin për ngadalësimin e eksportit të tyre.