Tatimet kanë nisur një aksion për formalizimin e sektorit të turizmit, duke monitoruar dhe analizuar subjektet që janë në platformat Booking dhe AirBnB për çmimet që ofrojnë dhe faturat e fiskalizuara.
Administrata tatimore thotë se ka të dhëna nga vetëdeklarimet, faturat e fiskalizuara, furnizimet dhe platformat Booking dhe AirbBnb, ndaj bën thirrje për regjistrimin e çdo strukture, përdorim të pajisjeve fiskale dhe për deklarim të saktë të qarkullimit. Ndërkohë që Tatimet përpiqen të ulin informalitetin, agjentët imobiliarë tregojnë se shtëpitë në Booking dhe AirBnB po zgjidhen masivisht nga turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.
“Air Bnb dhe Booking po i shpallin sfidë hotelerisë tradicionale për shkak të lehtësive që kanë, numrin e madh të dhomave, ambientin e gatimit që ofrojnë. Turistët që kemi parë së fundmi janë nga Meksika, nga Kameruni, nga Afrika, nga Amerika, por edhe nga vende si Koreja apo Japonia”, thotë agjenti imobilir Orgest Beti. Njësitë akomoduese në bregdetin e jugut ofrojnë edhe çmimet më të larta. Ksamili, Dhërmiu mbeten ndër më të shtrenjtët, ku për një natë në pikun e sezonit duhet të paguash të paktën 100 euro.
“Çmimet nisin nga 40 euro dhe mund të shkojnë deri në 200 euro. Varet nga madhësia, afërsia me qendrën apo me vijën bregdetare, çfarë kushtesh kanë brenda, ka apartamente që janë me suita. Nëse vijnë në grupe shoqërore, marrin apartamente të mëdha 3+1, për t’u akomoduar, për të pasur lehtësinë e kuzhinës për të gatuar. Nëse janë çifte zgjedhin garsoniere apo apartament 1+1, që kanë edhe buxhet më të përballueshëm 40-60 euro. Qëndrimi është nga 1 deri në 10 ditë, mesatarisht”, tha Beti.
Çmimet më të lira i ofrojnë subjektet në Velipojë, Shëngjin e Golem, ku mund të akomodohesh edhe me 35 euro nata.