“Produktet novatore të nxënësve, pjesë e Festivalit të Shkencës”
Tiranë, 11 qershor – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vizitoi laboratorwt inteligjentw të shkollës 9-vjeçare “Mihal Grameno”, ku ndoqi nga afër një orë mësimi me kushtet bashkëkohore të mësimdhënies dhe projektet inovative të zhvilluara nga nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle.
“Ne do të organizojmë vitin e ardhshëm Festivalin e Shkencës dhe jam e bindur që edhe këto produkte që ju keni bërë mund t’i prezantoni aty si produkte novatore dhe do të keni edhe më shumë mbështetje për të gjithë ju që keni prirje, talente edhe në disiplina të tjera për të arritur më të mirat dhe për të shpalosur gjithë potencialin.”, tha Ministrja Manastirliu.
Shkolla “Mihal Grameno”, është e pajisur me laboratorë të fizikës, kimisë, biologjisë dhe informatikës, si dhe me palestër dhe terrene sportive ku zhvillojnë aktivitetet e tyre klubi i futbollit për femra dhe klubi i basketbollit.
Këtë vit MAS ka invesutar për pajisjen e shkollës me 2 laboratorë inteligjentë (smartlabs), me 32 laptopë në dispozicion të nxënësve, të cilët mësojnë bazat e kodimit dhe programimit dhe familjarizohen me teknologjinë dhe e përdorin atë në mënyrë të sigurt për të zhvilluar projekte të thjeshta teknologjike. Ministrja Manastirliu tha se laboratorët u shërbejnë si klasave fillore, për të cilat janë hartuar kurrikula të reja, ashtu edhe klasave të larta, për të mbështetur mësimdhënien në TIK, lëndët shkencore dhe gjuhët e huaja por gjithashtu dhe mësuesve.
“Mundësia që mësuesit të fitojnë gradën e mësues mjeshtër por dhe të mësuesve specialistë dhe përfshirja e nxënësve në projekte të kërkimit dhe gjithashtu dhe në projektet novatore që kërkohen për mësuesit për të përfituar gradën e kualifikimit është tamam ajo sinteza e duhur që i vjen në ndihmë nxënësit për të thelluar aspekte që lidhen me të mësuarit dhe njohuritë në fusha të ndryshme, multidisiplinaritetin, pra jo vetëm në anglisht por edhe në teknologji por edhe për informacione që ju vijnë në ndihmë lëndës që ju keni duke e pasuruar me shumë elementë të ndryshëm. Edhe mënyra sesi ju po punoni me nxënësit për të evidentuar talentet e tyre dhe për t’i bërë pjesë të punës suaj kërkimore dhe të projektit inovator bën të mundur që jo vetëm të keni përfitime shumëfishë, pra jo vetëm ju si mësues të keni gradën e kualifikimit, por edhe nxënësit të përfshihen në projekte inovatore, të mundet të thellojnë njohuritë e tyre, të rrisin aftësitë e tyre dhe të zhvillohemi të gjithë së bashku. Mënyra sesi një mësuese e anglishtes, për të marrë gradën mjeshtër, ka punuar së bashku me nxënësit për të zhvilluar produkte novatore, projekte të kërkimit dhe zhvillimit, ku në bashkëpunim me nxënësit janë realizuar këto projekte fantastike që vitin e ardhshëm do t’i bëjmë pjesë të Festivalit të Shkencës.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Deri më tani, në shkollat tona janë ngritur 316 smartlab dhe brenda vitit 2027 pritet që ky numër të arrijë në 1000 laboratorë inteligjentë, duke modernizuar më tej procesin mësimor dhe duke forcuar lidhjen ndërmjet teknologjisë, dijes dhe krijimtarisë në arsim.