Që ishte e fortë, kjo dihej. Por tani është me e forta në botë. Xhodoka e Kosovës, Distria Krasniqi është ngjitur në krye të renditjes botërore të xhudos, dukë lënë pas këdo, sportiste vajza të të gjitha kategorive, por edhe të gjithë sportistët meshkuj të kësaj disipline.
Me medaljen e argjendit të fituar në Botërorin e Budapestit, Krasniqi mori 1400 pikë, duke u ngjitur në kuotën e 7055 pikëve.
Askush si ajo jo vetëm në kategorinë deri në 52 kilogram ku garon, por edhe në peshat e tjera të xhudos për meshkuj dhe femra.
Në këtë mënyrë, sportisja nga Kosova le pas koleget e saj më të famshme si francezia medaliste olimpike Amandine Buchard, apo kampionen e botës në fuqi, japonezen Uta Abe.
Arritja e Distria Krasniqit bëhet më madhështore, duke parë që në renditjen e përgjithshme të përditësuar nga Federata Botërore e Xhudos, ajo mban me nder rripin e zi, ndërsa le pas emrat më të njohur të xhudos për meshkuj si rusin Inal Tasoev apo japonezin Sanshiro Murao.
Në moshën 29 vjeçare, Krasniqi kap kulmin pas një karriere fantastike, të kurorëzuar me shumë medalje dhe tituj ndërkombëtarë. Ajo ka fituar dy medalje olimpike, një ari në “Tokyo 2020” dhe një argjendi në “Paris 2024”. Po ashtu, Distria është shpallur dy herë kampione e botës dhe tre herë të tjera kampione Europe.
Tani me statusin e xhudokës më të fortë të botës, ajo kërkon të përsërisë triumfin me një tjetër medalje të artë në Lojrat Olimpike “Los Angeles 2028”.