Nuk është rivali direkt, por ndeshja kundër Letonisë vlen më shumë se ajo kundër Serbisë.

Asnjë ekzagjerim. Ecuria në tre sfidat e para të kombëtares së Shqipërisë, pozita e saj në tabelën e klasifikimit të Grupit K dhe shpërndarja e pabarabartë e përballjeve në këto kualifikuese, e bëjnë një detyrim fitoren për kuqezinjtë në misionin e tyre për vendin e dytë. Kjo pasi kreu i grupit është bërë shpejt pronë e Anglisë. Shqipëria ka katër pikë, vetëm 1 më shumë se Letonia, por rivalët e ardhshëm kanë një ndeshje më pak.

Për momentin vetëm një pikë për Serbinë, pas barazimit në Tiranë, por kjo ishte vetëm sfida e parë për ata që janë kundërshtarët direktë për vendin e dytë. Për këtë arsye, kuqezinjtë duhet të fitojnë kundër Letonisë në Riga, më pas në ndeshjen e kthimit në Tiranë, në mënyrë që të ruajnë pozicionin dhe distancën me Serbinë përpara sfidës direkte dhe asaj të zjarrit që do të luajnë në Beograd më 11 tetor.

Të gjitha këto i di mirë Silvinjo, ndërsa të besuarit e tij duhet të përsërisin paraqitjen e mirë që zhvilluan në “Air Albania”, me ndryshimin e vetëm dhe të rëndësishëm, që këtë herë duhet të fitojnë.
Për ta arritur këtë qëllim, tekniku kuqezi pritet të bëjë disa ndryshime në formacion, që lidhen me interpretuesin dhe jo me skemën. Ajo me dy sulmues që u përdor në dy ndeshjet e fundit me Andorrën dhe Serbinë pritet të aplikohet sërish nga Silvinjo të martën kundër Letonisë.