Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani mbajti fjalën e tij në ministerialin e Evropës Juglindore, që zhvillohet në Tiranë.
Hasani deklaroi se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE dhe synim mbetet anëtarësimi brenda 2030.
Lidhur me konfliktet në Lindjen e Mesme, Hasani u bëri thirrje Izraelit dhe Iranit për vetëpërmbajtje.

“Me hapjen e katër grup-kapitujve të negociatave, Shqipëria është në rrugën e duhur dhe tërësisht e përkushtuar për të avancuar procesin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Objektivi ynë është ambicioz, por i arritshëm: të hapim të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit 2025 dhe të përmbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027. Po punojmë me vendosmëri që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim të plotë para fundit të kësaj dekade. Ne jemi të shqetësuar nga tensionet e përshkallëzura në Lindjen e Mesme. Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur qytetarët e vet. Zhvillimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja katastrofike. Shqipëria i bën thirrje palëve për përmbajtje maksimale. Rruga përpara nuk është e thjeshtë, por të vazhdojmë të punojmë bashkë”, theksoi ai.