Ministria e Mbrojtjes e Katarit ka konfirmuar se nuk ka pasur viktima apo të lënduar si pasojë e sulmit iranian ndaj bazës ushtarake amerikane al-Udeid, e cila ndodhet në afërsi të kryeqytetit Doha.
Në një deklaratë zyrtare, autoritetet theksuan se sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit kanë kapur dhe neutralizuar raketat iraniane para se ato të shkaktonin dëme:
“Jemi të sigurt se mbrojtja ajrore e Katarit e pengoi me sukses sulmin dhe interceptoi raketat iraniane,” thuhet në deklaratën e qeverisë.
Ministria shtoi gjithashtu:
“Faleminderit Zotit, vigjilenca e forcave tona të armatosura dhe masat paraprake të marra bënë të mundur që incidenti të mos shkaktojë asnjë humbje jete apo të plagosur.”
Zyrtarët bënë të ditur se hapësira ajrore dhe territori i vendit janë të sigurt, ndërsa i ruajnë të gjitha të drejtat për të reaguar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Ky reagim vjen pas tensioneve të rritura në rajon, pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe kërcënimeve të përsëritura të Iranit për hakmarrje ndaj interesave amerikane në Lindjen e Mesme.