Ilir Shqina, ish-bashkëshorti i deputetes dhe ish-ministres Grida Duma, është ndarë nga jeta. Lajmi është bërë i ditur nga ish-ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu, përmes një statusi në rrjetet sociale.

Bregu e kujton Shqinën si një njeri me integritet, që kontribuoi në administratën publike me korrektesë dhe profesionalizëm. Ajo shprehet se e kishte njohur që në vitet e hershme të karrierës akademike, kur të dy ishin pedagogë të rinj në universitet, dhe më pas e kishte pasur pranë si këshilltar diplomatik në Ministrinë e Integrimit Europian.

“Nuk kishim të njëjtat bindje politike, por Ilir solli në Ministrinë e Integrimit Evropian atë që mungon shpesh në administratë: korrektësinë, dinjitetin dhe maturinë si akt shërbimi publik”, shkruan Bregu, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithë atyre që e kanë njohur.

Ilir Shqina ka qenë një figurë e njohur në fushën akademike dhe në shërbimin diplomatik, ndërsa ndarja e tij e parakohshme nga jeta ka sjellë trishtim te miqtë, kolegët dhe të afërmit.