“Fitorja” e Izraelit kundër Iranit hap derën për një “zgjerim dramatik të marrëveshjeve të paqes”, Kështu u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Udhëheqësi izraelit tha se vendi i tij “luftoi me trimëri kundër Iranit dhe arriti një fitore të madhe”. Irani gjithashtu ka deklaruar fitoren në konfliktin 12-ditor, me Ajatollah Ali Khamenein që pretendon se Izraeli u “shtyp” nga sulmet e Teheranit.

Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit më 13 qershor, duke thënë se synon që të parandalojë Iranin nga posedimi i një arme bërthamore. Të dyja vendet këmbyen sulme të përditshme për 12 ditë, teksa të dielën SHBA-ja sulmoi tri objekte bërthamore të Iranit, duke thënë se ia ka shkatërruar programin bërthamor Republikës Islamike.

Para se Izraeli të niste fushatën ushtarake, SHBA-ja dhe Irani kishin mbajtur pesë runde bisedimesh për programin bërthamor të Teheranit, që u ndërprenë më pas për shkak të konfliktit.