Nga Hermes Kafexhiu

Nesër nuk duhet të luftojmë për të treguar kush ka “hundën” më të madhe, kush flet më fort, kush provokon më egër. Nëse e bëjmë këtë, kemi humbur para se të futemi në fushë.

Kjo ndeshje është më shumë se një përballje sportive është pasqyra e shoqërisë sonë, e asaj njerëzores tonë të panjohur që shpesh na e kanë quajtur primitive apo të huazuar. Nesër në fushë duhet të tregojmë që nuk jemi as më pak e as më shumë se ca shqiptarë të mirë, që nuk kanë qenë asnjëherë pushtues, asnjëherë shumë nacionalistë dhe asnjëherë krenarë për histori të errëta.

Nesër duhet të jemi shqiptarët që i tregojnë historisë se nuk jemi njësoj, pavarësisht çdo plage të egër, që nëse i rikthehemi me urrejtje vetëm sa hapet më shumë. Ato që deshën të na i marrin, nuk na i marrin më dot. Ajo që na duhet sot është të fitojmë këtë ndeshje me përulësi dhe forcë, pa marrë vëmendje që i shërben më shumë qënies së klikimeve se sa mbushjes së paqtë njerëzore.

Nuk na mbush më shumë një sherr nesër, sesa një gol.
Në çdo pasim, në çdo goditje, në çdo frymëmarrje të ekipit, duhet të ndjejmë historinë, dhimbjen dhe krenarinë e një populli që nuk dorëzohet.
Nëse lejojmë që urrejtja, arroganca apo provokimet të na ndajnë, atëherë nesër do të humbasim jo vetëm ndeshjen, por edhe atë që kemi më të shtrenjtë: respektin për veten.

Nuk ka fitore në ego. Fitore ka vetëm në unitet të zjarrtë, në shpirt të pastër dhe në zemër të madhe. Nesër, ne duhet të jemi ata që përmbysin tensionin me forcën e kujtesës historike; ata që ngrenë kokën dhe thonë: “Ne jemi më shumë sesa ndasitë tona!”

Kjo është një thirrje për të gjithë shqiptarët: mos e përdorni këtë ndeshje për të nxitur përçarje, për të bërë show egoizmi. Nesër nuk duhet të mendojmë kush ka “hundën” më të madhe, por kush e fiton ndeshjen!

Kjo është beteja jonë më e rëndësishme jo për të treguar kush është më i fortë me fjalë, por kush e mban frymën deri në fund. Kush e di që fitoret më të mëdha bëhen me bashkim dhe jo me përçarje.

Nëse e kuptojmë këtë, nesër do të jetë dita kur do të shkruajmë një kapitull të ri të historisë sonë një kapitull fitoreje, krenarie dhe bashkimi të pafund.
Kjo është një lutje, një paralajmërim dhe një thirrje më e madhe se çdo fushë, më e fortë se çdo provokim.

Nesër, luftoni për fitore, jo për egon tuaj!/Lexo.al