Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) lëshoi të dielën një njoftim zyrtar, duke paralajmëruar për një “mjedis të përshkallëzuar të kërcënimeve” brenda territorit të SHBA-së, pas goditjeve ushtarake ndaj Iranit.
Në njoftim thuhet se ekziston mundësia e sulmeve kibernetike me intensitet të ulët si dhe rreziku i veprimeve të dhunshme të individëve të vetmuar, të nxitur nga situata aktuale.
Pak ditë përpara sulmeve, burime nga agjencitë e inteligjencës dhe të zbatimit të ligjit thanë për CNN se po rishikohen dosjet e personave të dyshuar për lidhje me Hezbollahun brenda SHBA-së, për të vlerësuar çdo kërcënim të mundshëm që mund të lindë nga përshkallëzimi i tensioneve me Iranin. Sipas këtyre burimeve, aktualisht nuk ka asnjë kërcënim të besueshëm apo konkret.
“Ka gjithmonë një nivel kërcënimi kur bëhet fjalë për Iranin,” tha një zyrtar federal për CNN. “Dallimi qëndron tek konkretësia dhe besueshmëria e informacionit.”
Sipas buletinit të shpërndarë përmes Sistemit Kombëtar të Këshillimit për Terrorizëm (NTAS), aktivistë pro-iranianë në fushën e teknologjisë (“hacktivistë”) mund të synojnë rrjete kompjuterike amerikane, ndërsa aktorë të tjerë të lidhur me qeverinë iraniane mund të përfshihen gjithashtu në sulme të ngjashme.
Vitit e kaluar, SHBA akuzoi hakerë të lidhur me Iranin për ndërhyrje në fushatën zgjedhore të ish-presidentit Trump, çka rrit shqetësimet se Irani mund të përdorë sulme kibernetike si mjet hakmarrjeje.
Përsa i përket sulmeve fizike brenda vendit, DHS paralajmëron se në rast se udhëheqësit iranianë lëshojnë një dekret fetar që bën thirrje për dhunë hakmarrëse kundër objektivave amerikane, “rreziku që ekstremistë të dhunshëm të vetmuar të mobilizohen dhe të veprojnë brenda territorit amerikan do të rritej ndjeshëm.”
Gjithashtu, në buletin theksohet se konflikti mund të motivojë individë ekstremistë apo autorë të krimeve të urrejtjes që të sulmojnë objektiva të perceptuara si hebreje, pro-izraelite, ose të lidhura me qeverinë dhe ushtrinë amerikane.