Gadishulli iberik po pergatitet per nje fundjave te nxehtë. Temperaturat në Spanjë dhe Portugali pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Në kryeqytetin spanjoll, turistët strehohen nëpër hijet që mund të gjejnë dhe freskohen nëpër shatërvanë.
AEMET, departamenti i meteorologjisë së vendit, dha disa paralajmërime për valën e të nxehtit që pritet të prekë vendin.
Një alarm portokalli, i cili paralajmëron se aktivitetet normale janë “ndoshta të rrezikshme”, është në fuqi për Kordobën, Jaenin dhe Seviljen për shkak të temperaturave maksimale të parashikuara prej 40 gradë Celsius. Vala e të nxehtit do të fillojë të shtunën dhe do të zgjasë për katër ditë, deri të martën e ardhshme.
Gjithashtu në gadishullin Iberik, parashikuesi i motit i Portugalisë ka lëshuar një paralajmërim portokalli për temperatura jashtëzakonisht të larta gjatë fundjavës. Temperaturat në Lisbonë dhe Portugalinë qendrore parashikohet të kalojnë 42 gradë Celsius deri të dielën.
Vala e të nxehtit ka prekur edhe vende të tjera të kontinentit. Në Greqi temperaturat po i afrohen 40 gradëve, teksa vendi përballet me rrezikun e zjarreve.
Edhe Italia përballet me një valë të nxehti me temperatura që pritet të arrijnë deri në 39 gradë Celsius.