Për herë të parë Gjykata e Posaçme, ul në bankën e të akuzuarve ish-kryeministrin Sali Berisha. Pasi dosja “Partizani” kaloi për gjykim, togat e zeza kanë caktuar datën 30 qershor, orën 09:30 për seancën e parë në themel.

Megjithatë, për Vizion Plus burimet bëjnë të ditur se kryetari i Partisë Demokratike nuk do të jetë në seancë për shkak të angazhimeve, por do të mbrohet nga avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.

I vënë nën akuzë për korrupsion pasiv, pasi dyshohet se ka vendosur shtetin në funksion të përfitimeve të dhëndrit të tij, ish-kryeministri ka kërkuar gjykim të zakonshëm.

Në seancën e të hënës pritet që të bëhet legjitimimi i palëve, pra të pandehurit e dosjes i verifikojnë gjykatës mbrojtësit e tyre.

I bashkëpandehur në këtë çështje është dhëndri i liderit të opozitës, Jamarbër Malltezi të cilin SPAK e akuzon për dy vepra penale, korrupsion e pastrim parash, si pasojë e privatizimit të ish-klubit sportiv, Partizani.

Sipas organit të akuzës, Jamarbër Malltezi, ndërtoi në trojet shtetërore të këtij kompleksi sportiv 19 pallate.

SPAK thotë se Malltezi përfitoi nga pozita e vjehrrit të tij si një nga 5 trashëgimtarët e këtyre trojeve, përmes procedurave të përshpejtuara.

Po ashtu, nën akuzë janë vënë biznesmeni Xhimi Begeja, ndërtuesi, Fatmir Bektashi dhe përfaqësuesja e studios ligjore.

Të pestë do të përballen me togat e zeza të Gjykatës së Posaçme, që kryesohen nga gjyqtarja, Elsa Ulliri me anëtarë Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.

Beteja e Berishës me SPAK ka qenë e tensionuar. Kryetari i PD, ka hedhur një lumë akuzash ndaj dy prokurorëve që e kanë vënë nën hetim, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, por edhe ndaj drejtuesit të prokurorisë, Altin Dumani. Berisha pretendon se hetimi i tij ka prapavijë politike./vizionplus.tv