Tiranë, 18 qershor – Përmbyllet faza e parë e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve ku janë trajnuar më shumë se 10 mijë mësues. Ky program synon rritjen e kapaciteteve të mësuesve në fushat prioritare të arsimit: Gjuhë Shqipe, Matematikë, Shkenca dhe Teknologji (STEM), si dhe në aftësi ndërdisiplinore.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ndiqi nga afër një nga trajnimet që u zhvillua në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranë.

“Jam e kënaqur që sot asistoj në një prej trajnimeve ku mësuesit e arsimit fillor janë tashmë në përfundim të ditës së dytë të trajnimit të modulit që ju jeni duke ofruar. Këtu në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë tashmë keni kryer një seri trajnimesh përgjatë 4 muajve, ku janë angazhuar në këtë universitet rreth 2 mijë mësues, dhe në të gjithë vendin kemi trajnuar më shumë se 10 mijë mësues,” u shpreh Ministrja Manastirliu.
Për këtë fazë të parë për 2025, Universiteti i Tiranës ka organizuar trajnime për 2,351 mësues, mes tyre dhe mësues të arsimit fillor me fokus përmirësimin e cilësisë së leximit në kuadër të përgatitjes për testimin ndërkombëtar PIRLS 2026.
Trajnimet u zhvilluan nga 200 pedagogë të shtatë institucioneve të arsimit të lartë (IAL). Programi përmban disa komponentë thelbësorë, si zhvillimi i aftësive praktike për zbatimin e metodave interaktive në lëndët e AMU dhe AML; përgatitjen për aftësitë e të lexuarit në gjuhën shqipe për PIRLS 2026; orientimin drejt karrierës në shkencat shoqërore; dhe fuqizimin e mekanizmave për parandalimin e dhunës në shkolla përmes një moduli të dedikuar për drejtues shkollash, oficerë sigurie dhe punonjës psiko-socialë.
Ministrja Manastirliu u shpreh se synohet të trajnohen rreth 16 mijë mësues deri në fund të vitit.
“Për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit është një prioritet rritja e kapaciteteve të mësuesve tanë dhe edukimi në vazhdim i tyre. Mbetet një rëndësi parësore sa i përket cilësisë së arsimit pikërisht mbështetja afatgjatë e mësuesve përsa i përket trajnimeve dhe metodave efektive dhe inovatore të mësimdhënies, të cilat janë përfshirë nën ombrellën e një programi kombëtar të zhvillimit profesional me synimin për të trajnuar në këtë vit rreth 16 mijë mësues.”, tha Ministrja Manastirliu.
Duke folur për fazën e ardhshme të këtij programi, Manastirliu tha:
“Ne po punojmë dhe për programin e ardhshëm 2026–2028, një cikël i cili do të ofrojë jo vetëm module të reja të edukimit në vazhdim dhe do të ketë më shumë përputhshmëri edhe me kurrikulën me të cilën ne jemi duke punuar, por mbi të gjitha për t’iu pajisur ju me aftësitë e nevojshme që kërkon mësimdhënia moderne.”, deklaroi Manastirliu.
Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve është një program i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me universitetet publike, për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm trajnimesh në mbështetje të zhvillimit profesional të mësuesve dhe përmirësimit të cilësisë së arsimit në Shqipëri.