Nuk do të kthehemi në “vendin e krimit”. Stadiumi i Partizanit, aty ku ndodhi skandali I tetorit të vitit 2014 është hequr nga lista për ndeshjen Serbi-Shqipëri, por gjithsesi, kuqezinjtë do të jenë sërish në Beograd.

Fillimisht, po mendohej që ndaj shqiptarëve dhe Anglisë të luhej në stadiumin e qytetit Leskovac, në Serbinë e Jugut, aty ku serbët fituan 3-0 ndaj Andorrës.

Gjithsesi, vendimi i Federatës Serbe të Futbollit ishte I ndryshëm, ishte që të luhet në 9 shtator kundër Anglisë dhe në 11 tetor përballë Shqipërisë në stadiumin “Rajko Mitiv” të Crvena Zvezdës.
Po flasim për impiantin më të madh të futbollit në vend, me kapacitet mbi 51 000 spektatorë.

Federata sqaron se u zgjodh stadiumi që tifozët e quajnë “Marakana” për arsye organizative dhe të sigurisë, jo vetëm për shkaqe sportive, dhe se gjithçka u bë në këshillim me UEFA-n.

Besimi është se rreth 50 000 spektatorë do t’i japin shumë më tepër mbështetje përfaqësueses serbe sesa 8 000 në Leskovac.
Gjithsesi, dashur pa dashur, gjithçka u politizua sepse për këtë vendim foli nga Praga edhe presidenti I Serbisë, Aleksandar Vucic.

“Dua që t’iu them sesi mundet që Federata jonë e Futbollit dhe të tjerët nuk munden të përballojnë 5 minuta presion nga ambasada angleze dhe nga të tjerët që kërkojnë që ndeshja me anglezët të luhet në Beograd, dhe pas dy ditësh presion e ndryshojnë vendimin që ndeshja të luhet në Beograd. Le të mbetet e shkruar që unë kam qenë që ndeshja të luhej në Leskovac, sepse njerëzit në Leskovac nuk vlejnë më pak sesa ata në Beograd. E mbështetën në mënyrë të jashtëzakonshme kombëtaren ndaj Andorrës, ndaj së cilës do të kishte pasur vetëm 300 tifozë në Beograd. Tani vijnë anglezët dhe na thonë se nuk u pëlqen në Leskovac. Mua nuk më bëhet vonë që atyre nuk u pëlqen të luajnë në Leskovac. Ne kemi marrë 10 kërkesa nga ambasada, por nuk I jam përgjigjur asnjërës”.

As kombëtarja shqiptare dhe as skuadrat tona të klubeve nuk kanë luajtur ndonjëherë në stadiumin “Rajko Mitiç”, por thuajse ekskluzivisht në stadimin e Partizanit.
Kështu në 12 nëntor 1967, kur Jugosllavia fitoi 4-0 në eliminatorët e Europianit, dhe në tribuna duken qartë shqiptarë nga Kosova me qeleshet e tyre.

Po aty në 14 tetor 2014, kur shpërtheu dhuna ndaj kuqezinjve, dhe ai është stadiumi ku Sokol Kushta shënoi golin e madh në 1987, që kualifikoi Flamurtarin ndaj Partizanit të Beogradit.