Konflikti midis Izraelit dhe Iranit vjen pas dekadash armiqësie midis dy armiqve të përbetuar. Por, deri në revolucionin islamik të vitit 1979, Irani dhe Izraeli ishin aleatë të ngushtë me lidhje të gjera ekonomike dhe ushtarake.

Revolucioni solli në pushtet në Iran një regjim radikal shiit mysliman, ideologjia e të cilit ishte thellësisht anti-perëndimore dhe anti-Izrael, shkruan BBC.

Nën udhëheqjen e Udhëheqësit të ri Suprem, Ajatollah Khomeini, Irani hodhi poshtë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, duke e përshkruar atë si një simbol të shtypjes dhe imperializmit perëndimor.

Regjimi i ndërpreu marrëdhëniet me Izraelin, i dha mbështetje palestinezëve dhe u bë një sponsor kryesor i grupeve të armatosura anti-Izrael si Hezbollahu në Liban, Hamasi në Gaza dhe Huthitët në Jemen.

Izraeli, nga ana e tij, e ka quajtur Iranin sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe ka punuar ngushtë me SHBA-në dhe aleatët e tjerë për të vendosur sanksione dhe për të ushtruar presion diplomatik mbi programin bërthamor dhe aktivitetet ushtarake të Iranit.

Gjithashtu ka kryer vite të tëra operacionesh të fshehta kundër Iranit – pjesë e një “lufte në hije” të gjatë midis dy vendeve përpara se të shpërthente hapur.