Sundimtari rus, Vladimir Putin, del zbuluar. Edhe pse ky i fundit i ka shpallur besnikëri Iranit, dhe mullahët e kanë ndihmuar disa herë ushtarakisht në luftën e Ukrainës, kreu i Kremlinit tani po i braktis “partnerët strategjikë”.

Një rikujtim: Në janar tw vitit 2025, Rusia dhe Irani negociuan “Marrëveshjen për një Partneritet Strategjik Gjithëpërfshirës”. Në të ishte përcaktuar: “Zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik, zbutja e pasojave të sanksioneve amerikane dhe forcimi i partneriteteve ushtarake dhe politike”.
Në prill dhe maj të dy vendet e ratifikuan këtë marrëveshje. Një muaj më vonë, Rusia po e injoron sërish.

Ja pse Putin ka ngecur në kurthin iranian.

-Nëse i ndihmon mullahët në luftën kundër Izraelit, ai rrezikon imazhin e vet si një “i pastër” përballë mbrojtëses së Izraelit, SHBA-së, dhe presidentit amerikan Donald Trump, i cili deri tani ka pasur një qëndrim disi miqësor ndaj Rusisë.

-Nëse nuk i ndihmon, atëherë të gjithë partnerët e Rusisë nëpër botë (përfshirë Bjellorusinë, Korenë e Veriut, Malin dhe Serbinë) e kuptojnë se premtimet e Putinit dhe marrëveshjet e Rusisë nuk vlejnë asgjë.
Gjithashtu ka edhe një arsye shumë praktike pse Kremlini aktualisht nuk mund t’i ndihmojë vërtet mullahët.

Shumica e burimeve ushtarake ruse janë të angazhuara në Ukrainë. Prodhimi i municioneve në Rusi, përfshirë granatat dhe raketat, është i destinuar për përdorim në Ukrainë. Eksportet e armëve ruse kanë rënë ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit.
Në fund, presidentit rus i mbetet vetëm të përdorë ndikimin e tij të madh tek homologu amerikan. Me kërkesë të mullahëve në Teheran, Putin e telefonoi Trump-in në ditëlindjen e tij dhe i kërkoi që të ushtrojë presion mbi Izraelin për të ndalur luftën kundër Iranit.

Trump reagoi menjëherë: “Irani dhe Izraeli duhet të bëjnë një marrëveshje” për të ndalur luftimet, shkroi në postimin e tij të së dielës, dhe premtoi: “Së shpejti do të kemi paqe midis Izraelit dhe Iranit!’
Megjithatë mbetet e paqartë nëse Izraeli do ta respektojë këtë. Një zëdhënës i ushtrisë i tha BILD se vendi po përballet me një “kërcënim ekzistencial”. Ky kërcënim duhet të eliminohet para se armët të heshtin. (BILD)