Presidenti rus, Vladimir Putin ka miratuar një strategji të re detare e cila synon të rivendosë plotësisht pozicionin e Rusisë si një nga fuqitë kryesore detare në botë, ka thënë ndihmësi i Kremlinit, Nikolai Patrushev, në një intervistë të botuar të hënën.

Rusia ka marinën e tretë më të fuqishme në botë pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, sipas shumicës së renditjeve publike, megjithëse marina ka pësuar një sërë humbjesh në luftën e Ukrainës, raporton Reuters.

Patrushev, një ish-oficer i KGB-së (agjencia kryesore e sigurisë së Bashkimit Sovjetik nga viti 1954 deri në vitin 1991) i cili ka shërbyer me Putinin në qytetin verior rus të Shën Petersburgut gjatë kohës sovjetike, ka thënë se strategjia e re detare, e titulluar “Strategjia për Zhvillimin e Marinës Ruse deri në vitin 2050”, është miratuar nga Putini në fund të majit.

“Pozicioni i Rusisë si një nga fuqitë më të mëdha detare në botë po rikuperohet gradualisht”, ka thënë Patrushev për gazetën ruse “Argumenti e Fakti”.

“Është e pamundur të kryhet një punë e tillë pa një vizion afatgjatë të skenarëve për zhvillimin e situatës në oqeane, evolucionin e sfidave dhe kërcënimeve dhe, natyrisht, pa përcaktuar qëllimet dhe objektivat me të cilat përballet marina ruse”, ka deklaruar Patrushev. Patrushev nuk ka dhënë detaje të mëtejshme rreth strategjisë, megjithëse Rusia ka rritur shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë në nivelet e Luftës së Ftohtë.

Një raport i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, ka thënë në vitin 2021 se Kina ka marinën më të madhe në botë dhe se forca e përgjithshme luftarake e Pekinit pritet të rritet në 460 anije deri në vitin 2030.
Ndërkohë, të dhënat nga burime të hapura sugjerojnë se Rusia ka 79 nëndetëse, duke përfshirë 14 nëndetëse me raketa balistike bërthamore, si dhe 222 anije luftarake. Flota e saj kryesore është Flota Veriore me seli në Severomorsk në Detin Barents.