Mes intensifikimi të bombardimeve ruse në Ukrainë, me sulmin më të madh ajrore që nga fillimi i luftës të ndërmarrë këtë fundjavë, kryediplomati i Gjermanisë, Johann Wadephul shprehet i bindur se Vladimir Putin nuk dëshiron thjesht bisedime, por kapitullimin e mirëfilltë të vendit fqinj.

“Putin nuk po tërhiqet nga asnjë nga kërkesat e tij maksimaliste. Ai nuk dëshiron negociata, ai dëshiron dorëzimin pa kushte të Ukrainës. Rusia po pret dobësimin e mbështetjes sonë dhe dëshiron pushtim dhe nënshkrim me çdo kusht, madje edhe në kurriz të mijërave jetë”, deklaroi Johann Wadephul-ministër i jashtëm i Gjermanisë.
Këto komente, Wadephul i bëri nga Kievi ku kreu vizitën e tij të parë që prej marrjes së postit muajin e kaluar.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës, pasi sulmet ruse të së dielës përfshinë qindra dronë, raketa lundruese dhe balisitike.
Gjermania është mbështetësja më e madhe në Evropë e Ukrainë dhe e dyta në botë pas Shteteve të Bashkuara, duke i ofruar armë dhe ndihmë tjetër me qëllim që Kievi të zmbrapsë forcat ruse.
Zelensky njoftoi sakaq se ka nënshkruar dekretin për tërheqje nga Konventa e Otavës për Ndalimin e Minave Kundër Personelit.
Traktati i vitit 1997, të cilit i janë bashkuar më shumë se 160 vende, ndalon përdorimin, prodhimin, grumbullimin dhe transferimin e minave tokësore kundër personelit dhe synon mbrojtjen e civilëve nga shpërthimi i këtyre minave pas përfundimit të një konflikti.
“Rusia nuk ka qenë kurrë palë në këtë konventë dhe përdor minat kundër personelit në një mënyrë jashtëzakonisht cinike. Duke ndërmarrë këtë hap politik, ne po u dërgojmë një sinjal të gjithë partnerëve tanë se ku duhet të përqendrohen. Kjo vlen për të gjitha vendet përgjatë perimetrit të kufijve të Rusisë”, tha Zelensky.
Vendimi megjithatë, që të hyjë në fuqi, kërkon edhe miratim parlamentar.