Shkencëtarët e NASA po planifikojnë të ndërtojnë një radioteleskop gjigant në anën e errët të Hënës.
Sipas revistës LiveScience, nëse projekti miratohet, mund të ndërtohet nga viti 2030 me një kosto prej më shumë se 2 miliardë dollarësh. Shkencëtarët duan të ndërtojnë radioteleskopin për të ndihmuar në zbulimin e disa prej mistereve më të mëdha të universit. Një arsye tjetër është edhe rritja e niveleve të rrezatimit që vjen nga vargjet e mëdha të sateliteve private, që sipas shkencëtareve, se shpejti do të jetë një problem për radioastronominë nga Toka.
Numri i satelitëve që rrotullohen rreth Tokës po rritet me shpejtësi. Kjo mund të krijojë një sërë problemesh, duke përfshirë më shumë mbeturina hapësinore, rritje të ndotjes nga drita në qiellin e natës dhe akumulimin e ndotjes së metaleve në atmosferën e sipërme të Tokës nga rihyrja e satelitëve. Një problem më pak i njohur është se satelitët privatë janë të prirur të lëshojnë rrezatim në hapësirë, i cili mund të ndërhyjë në radioteleskopët në Tokë që përpiqen të studiojnë objekte të largëta, të tilla si galaktikat e lashta, ekzoplanetët dhe vrimat e zeza supermasive.
Radioastronomët paralajmërojnë se nëse numri i satelitëve rreth planetit tonë arrin kapacitetin maksimal, mund të arrijmë në një pikë kthese përtej së cilës radioastronomia do të jetë jashtëzakonisht e kufizuar, madje e pamundur në gjatësi vale të caktuara. Radioteleskopi do të ndërtohet tërësisht nga robotë dhe do të përbëhet nga një rrjetë gjigante kabllosh të varura brenda një krateri në anën e largët të Hënës. Në këtë mënyrë nuk do të ketë ndërhyrje nga satelitët, rrezatimi diellor dhe atmosfera e Tokës.
Përplasja mes galaktikës sonë, Rrugës së Qumështit dhe fqinjës së saj më të madhe, galaktikës së Andromedës e parashikuar të ndodhë përreth 4.5 miliardë vjet nga tani ka qenë një pritshmëri e astronomëve që nga viti 1912. Por, një studim i ri sugjeron se mundësia që kjo përplasje galaktike, e quajtur edhe “Milkomeda”, të ndodhë është më e vogël sesa mendohej më parë. Në shikim të parë, duket pothuajse e sigurt se këto dy galaktika, të cilat ndodhen rreth 2.5 milionë vite dritë larg njëra-tjetrës, janë në një trajektore përplasjeje të pashmangshme. Rruga e Qumështit dhe Andromeda po lëvizin drejt njëra-tjetrës me një shpejtësi prej rreth 360 mijë km/h (100 km/s)./ TAR