Rreziku i rrezatimit në Shqipëri për shkak të goditjeve të deritanishme në Iran është zero. Këtë e shpjegon eksperti për mbrojtjen nga rrezatimi në Institutin e Shëndetit Publik, Dr. Rustem Paci.

“Deri më tani nuk ka të dhëna për nivel të rritur të rrezatimit as atje, sepse jemi në kontakt të vazhdueshëm. Shqipëria ka 10 pika monitorimi që sinjalizojnë çdo 10 minuta nëse ka rritje të nivelit të radioaktivitetit”, shprehet Dr. Paci.
Por Shqipëria ka gati një plan mbrojtjeje për përballimin e emergjencave radiologjike, të cilat, në bazë të nivelit të rrezatimit, nëse sinjalizohet, shoqërohen me udhëzime për publikun.

“Ky plan ka të bëjë me se si të mbrohemi, ku të shkojmë, sa të qëndrojmë. Aktivizohen skuadrat e emergjencës sapo sinjalizohet niveli i rrezatimit”, shton ai.
Shqipëria është pjesë e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, çka e bën atë një vend me të drejta dhe detyrime, sikundër është edhe plani i emergjencës në rastet e aksidenteve të ndryshme që mund të ndodhin në vende që kanë centrale bërthamore.