Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, gjatë një interviste për NBC News, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me Iranin, por kundër programit bërthamor të tij.

“Nuk jemi në luftë me Iranin. Jemi në luftë me programin bërthamor të Iranit,” theksoi ai, duke shtuar se nuk ka frikë se përplasja aktuale do të shndërrohet në një konflikt të zgjatur.

Vance gjithashtu u shpreh se SHBA nuk ka si synim ndryshimin e regjimit në Teheran, një ide që është përmendur shpesh nga zyrtarë të lartë izraelitë. Ai nënvizoi se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë asnjë interes” për të vendosur trupa tokësore në Iran, duke theksuar se ndërhyrja është e kufizuar dhe nuk shënon hyrje në një konflikt të ri afatgjatë.

Vance, i cili erdhi në detyrë përkrah presidentit Donald Trump, i njohur për qëndrimin e tij kundër “luftërave të pafundme”, po përpiqet të qetësojë bazën e lëvizjes MAGA, e cila është e ndarë lidhur me vendimin për të goditur objektiva iraniane.

Zëra të rëndësishëm brenda kësaj lëvizjeje janë përpjekur të sigurojnë opinionin publik se bëhet fjalë për një sulm të vetëm dhe të izoluar, një qëndrim që u përsërit edhe nga analisti Pete Hegseth në Pentagon, pasditen e së dielës.