Në një reagim të gjatë publik, Ministria e Kulturës ka hedhur poshtë zërat kritikë për ndërhyrjet e fundit restauruese në ish-burgun e Spaçit, duke e quajtur debatin e ngritur një “tymnajë të panevojshme” që nxit keqinformim dhe përçarje rreth një projekti me vlerë të veçantë për kujtesën kolektive shqiptare.
“Së fundmi është krijuar një ‘tymnajë’ e panevojshme në lidhje me ish-burgun e Spaçit, duke injoruar jo vetëm degradimin ekstrem fizik por duke sajuar fabula mbi ‘prishje të kujtesës historike’ apo ‘qoka’ për hir të një filmi,” thuhet në deklaratën zyrtare të Ministrisë, e cila mbron si legjitimitetin ashtu edhe qëllimin fisnik të projektit në fjalë.
Në thelb të debatit publik që ka lindur ditët e fundit është projekti për kthimin e Spaçit në një Muze të Kujtesës dhe paralelisht, xhirimi i një filmi artistik për Revoltën e Spaçit të vitit 1973 nga regjisori Namik Ajazi dhe shkrimtari Visar Zhiti – vetë i burgosur politik në këtë kamp.
Ministria sqaron se prej vitit 2024 është miratuar një Plan Menaxhimi për sitin, i cili përfshin:
analiza të detajuara të pasurisë kulturore dhe gjendjes së saj;
konsultime me më shumë se 58 përfaqësues të institucioneve të kujtesës, ish-të burgosur politikë, komunitetin lokal të Mirditës, drejtues muzealë dhe profesionistë të fushës së trashëgimisë.
“Qëllimi në lidhje me ndërtesat e ish-burgut është ruajtja e tyre në gjendjen sa më origjinale, duke ndalur përkeqësimin e shpejtë të tyre,” thekson Ministria, duke shpjeguar se restaurimi nuk ka për qëllim të “pastrojë” gjurmët e së kaluarës, por përkundrazi, t’i bëjë më të lexueshme për vizitorët dhe brezit të ri.
Sa i përket projektit filmik, institucioni nënvizon rëndësinë morale dhe historike të tij: “Ky projekt filmik, që do të sjellë në ekran një histori të jashtëzakonshme guximi, dhimbjeje dhe idealizmi, nuk është një nismë politike dhe as një manovër jotransparente, por një përpjekje e sinqertë për të nderuar një kapitull të errët e heroik të historisë sonë.”
Për shkak të nevojës për xhirime në ambient autentik dhe pamundësisë për të rindërtuar Spaçin në studio, është kërkuar të lejohet ndërhyrje minimale konservuese në disa segmente të objektit. Ministria shton se edhe kjo është pjesë e planit të miratuar më parë, dhe i nënshtrohet standardeve të ruajtjes së trashëgimisë.
“Pse nuk u protestua vite më parë për dritaret blu, për rrënimin e dhjetëra monumenteve e strukturave, për rrëzimin e trarëve e soletave, për zhdukjen e artefakteve? Mjaft të shikohen fotot! Dhe krejt papritmas, lajmi i një filmi po ‘rrezikon Spaçin’?” pyet retorikisht deklarata.
Ministria fton publikun që të lexojë planin dhe projektin në tërësinë e tij, duke paralajmëruar se kujtesa nuk mbahet gjallë vetëm nga muret, por nga “zërat që ngrihen për të treguar të vërtetën që ato mure kanë parë.”
Debati dhe kritikat, si nisi gjithçka
Debati publik nisi fill pas publikimit të disa fotove nga terreni i Spaçit ku duken ndërhyrje restauruese në strukturat ekzistuese, të cilat ngritën shqetësime për “ndërhyrje të pakontrolluar në një vend simbol të dhimbjes kombëtare”.
Zërat kritikë më të fortë kanë ardhur nga ish-të përndjekur politikë, aktivistë të shoqërisë civile dhe historianë si Agron Tufa dhe përfaqësues të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Ata shprehën dyshimin se ndërhyrjet po bëhen për interesa të projektit filmik dhe pa transparencë të plotë për publikun. Një pjesë e tyre kërkoi që Spaçi të shpallet muze kombëtar dhe që çdo ndërhyrje të bëhet vetëm pas një diskutimi gjithëpërfshirës publik dhe ekspertize ndërkombëtare.
Shoqata të kujtesës, si “IDMC”, si dhe disa figura publike, kritikuan faktin që projekti filmik po zhvillohet në të njëjtën kohë me punimet restauruese, gjë që sipas tyre “rrezikon të krijojë perceptimin e manipulimit të kujtesës”.
Ministria e Kulturës ka refuzuar këtë lexim të ngjarjes dhe ka theksuar se “instrumentalizimi politik” është ajo që duhet të shqetësojë më shumë shoqërinë, dhe jo vetë projekti filmik i cili, sipas saj, “bën të padukshmen të dukshme” dhe i jep zë atyre që u heshtën për dekada./Lexo.al /Lexo.al