Raketa Starship 36 e kompanisë Space X të Elon Musk shpërtheu në flake mbrëmjen e të mërkurës vetëm disa çasta përpara se të kryhej testi I 10 I saj nga baza hapësinore Starbase në jug të Teksasit.
Incidenti ndodhi rreth orës 23:00 me orën lokale, gjatë fazave të fundit të përgatitjes për nisje. Raketës Starship 36 i ndodhi një “anomali e madhe”, siç e përshkroi vetë kompania, duke shpërthyer në ajër dhe duke ndriçuar qiellin me një zjarr masiv.
Në një deklaratë zyrtare, SpaceX konfirmoi se të gjitha ekipet ndodheshin në zona të sigurta dhe nuk pati persona të lënduar. “Një perimetër sigurie u mbajt gjatë gjithë operacionit. Ekipi ynë në Starbase po punon ngushtësisht me autoritetet lokale për të siguruar vendin e testimit dhe zonat përreth,” thuhet në deklaratë. “Nuk ka rrezik për komunitetet përreth, por u kërkojmë qytetarëve të mos i afrohen zonës ndërsa vazhdojnë operacionet e sigurisë.”
Ky është një tjetër dështim në serinë e testimeve të raketës gjigante Starship, që SpaceX synon të përdorë në të ardhmen për misione me njerëz dhe ngarkesa drejt Marsit. Vetëm një muaj më parë, një tjetër testim i Starship dështoi pasi raketa humbi kontrollin pas rreth 30 minutash fluturim, për shkak të rrjedhjes së karburantit, dhe u shpërbë gjatë rikthimit në atmosferën e Tokës.
Dështime të ngjashme ndodhën edhe në janar dhe mars të këtij viti, ku raketat shpërthyen disa minuta pas nisjes, duke shkaktuar edhe pezullimin e përkohshëm të fluturimeve hapësinore nga Florida.
Pavarësisht pengesave, themeluesi dhe drejtuesi i SpaceX, Elon Musk, ka deklaruar se këto testime përfaqësojnë përmirësime të mëdha. Në maj, ai tha se objektivi i kompanisë mbetet dërgimi i një anijeje kozmike në Mars të pajisur me robotë humanoidë deri në fund të vitit 2026.