Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme më vonë gjatë ditës së sotme, sipas burimeve diplomatike.
Mbledhja, e paparashikuar më parë, po organizohet me kërkesë të Iranit, pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj objekteve kryesore bërthamore në territorin iranian.

Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit të Sigurimit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Teherani ka kërkuar që Këshilli të mblidhet për të diskutuar “këtë akt të hapur dhe të paligjshëm agresioni”. Sipas ambasadorit të Izraelit në OKB, Danny Danon, mbledhja do të nisë në orën 15:00 me orën lokale të New York-ut (20:00 me orën e Mbretërisë së Bashkuar).

Në një postim në platformën X, Danon shkroi:
“Pas dekadash ku Irani ka shpërfillur dhe ka shkelur çdo mekanizëm ndërkombëtar monitorimi, tani papritur kujtohet për OKB-në dhe kërkon dënim ndaj atyre që ndalën planet e tij të rrezikshme.”

Ai shtoi se “Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk meritojnë dënim, por mirënjohje dhe falënderim nga çdo komb për faktin se po e bëjnë botën një vend më të sigurt.”