Të paktën katër palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite ndërsa po shkonin drejt një qendre shpërndarjeje ndihmash në jug të Gazës, sipas burimeve nga personeli shëndetësor në territorin e rrethuar.
Sipas Ushtrisë së Mbrojtjes së Izraelit (IDF), trupat izraelite kanë qëlluar në ajër si paralajmërim, pasi më parë kishin lëshuar një thirrje verbale ndaj një grupi personash që po i afroheshin dhe që u konsideruan si kërcënim.

Ngjarja ndodhi para agimit pranë qytetit Rafah dhe është incidenti më i fundit vdekjeprurës pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave që janë ngritur së fundmi nga një organizatë e re, Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), e mbështetur nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. IDF deklaroi se është në dijeni për raportet që flasin për të plagosur, por shtoi se “numri i raportuar nuk përputhet me informacionin që disponon aktualisht ushtria izraelite”.

Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, njerëz të shumtë ishin mbledhur me shpresën se qendra do të hapej dhe do të mund të siguronin ushqim për familjet e tyre. Një grua tha se bashkëshorti i saj u qëllua në kokë ndërsa priste të merrte ndihma ushqimore.

Ushtria izraelite ka njoftuar se palestinezët lejohen të lëvizin drejt dhe nga pikat e shpërndarjes së GHF vetëm nga ora 06:00 deri në 18:00, sipas orës lokale. Jashtë këtij orari, zonat përreth konsiderohen si “zona aktive luftime”.
Fondacioni Humanitar i Gazës tha se të dielën hapi tre pika shpërndarjeje ndihmash – një në Gazën qendrore në orën 06:00 dhe dy të tjera në Rafah në mesditë.

Izraeli ka filluar së fundmi të lejojë futjen e ndihmave në Gaza pas një bllokade tremujore, duke përqendruar shpërndarjen përmes GHF. Por operacionet e fondacionit janë shoqëruar me polemika, pasi vetëm në javën e parë të funksionimit kanë ndodhur disa incidente me pasoja fatale.
Sipas autoriteteve shëndetësore lokale dhe mjekëve, mbi 60 palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit gjatë tri ditëve të para të shpërndarjes së ndihmave. Dëshmitarë të shumtë kanë fajësuar ushtarët izraelitë për vrasjet.

Ushtria izraelite ka pohuar se gjatë dy ditëve të para ka qëlluar vetëm në mënyrë paralajmëruese, ndërsa ditën e tretë ka qëlluar pranë personave të dyshuar që po avanconin drejt pozicioneve ushtarake. IDF ka njoftuar se po heton ngjarjet.

Të shtunën, gjashtë palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga zjarri izraelit, sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile të drejtuar nga Hamasi. Ushtria izraelite përsëriti se kishte qëlluar paralajmërueshëm ndaj personave që iu afruan në mënyrë kërcënuese.