Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar me zhgënjim ndaj qëndrimeve të fundit të Elon Musk, pas kundërshtimeve publike të miliarderit për projektligjin e ri për uljen e taksave dhe shpenzimeve.

Në një deklaratë për gazetarët nga Zyra Ovale, Trump theksoi se marrëdhënia e tij me shefin e “Tesla”-s është përkeqësuar ndjeshëm, veçanërisht pas zbulimit se projektligji do të ndikojë drejtpërdrejt në subvencionet për automjetet elektrike.

“Unë dhe Elon kishim një marrëdhënie të shkëlqyer. Nuk e di nëse do ta kemi më. Jam shumë i zhgënjyer. Ai e njihte shumë mirë këtë projektligj, nuk kishte asnjë ankesë. Papritur, kur kuptoi se kreditë tatimore për makinat elektrike do të shkurtohen, ndryshoi qëndrim”, tha Trump.

Projektligji i mbështetur nga Trump parashikon heqjen e subvencioneve federale për automjetet elektrike, si pjesë e një pakete masash për uljen e shpenzimeve qeveritare. Kjo lëvizje, sipas kritikëve, mund ta bëjë më të kushtueshëm zotërimin e makinave elektrike dhe të ngadalësojë përhapjen e tyre në tregun amerikan.

Elon Musk, CEO i “Tesla”-s dhe një nga mbështetësit më të mëdhenj të energjisë së pastër, e ka kundërshtuar ashpër këtë projektligj, duke paralajmëruar se do të rrisë deficitet federale dhe do të penalizojë inovacionin teknologjik.

Musk u largua nga pozita në qeverinë amerikane javën e kaluar, ku drejtonte Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë një strukturë e ngritur nga Trump për të ulur kostot federale. Gjatë mandatit të tij, Musk mbikëqyri shkurtimin e mijëra vendeve të punës dhe ndërpreu financimet për disa programe si USAID, duke shkaktuar reagime të forta brenda agjencive federale dhe protestë publike.

Pavarësisht përplasjeve aktuale, Musk ka qenë më herët një mbështetës i fortë i Trump. Sipas burimeve, për fushatën elektorale të tij, Musk kishte kontribuar me rreth 300 miliardë dollarë, duke e renditur atë në mesin e donatorëve më të mëdhenj.