E tregoi për të gjithë pasi shënoi për kombëtaren. Mirlind Daku ka në trup, dhe pikërisht në shpatullën e djathtë, një tatuazh kushtuar njërit prej heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Ramadanit, të njohur me emrin e luftës, “Katani”.
Sulmuesi kuqezi e zbuloi tatuazhin pasi hoqi fanellën në gëzim e sipër ndërsa shënoi golin e dytë në ndeshjen Shqipëri-Poloni të eliminatoreve të Kampionatit Europian në Arenën e Tiranës. Ky tatuazh që në atë kohë krijoi polemika nga mediat serbe, duket se ka lënë shenjën e tij edhe në Rusi, dhe sipas asaj që shkruhet në Moskë, mund të ketë qenë një nga arsyet që Daku nuk kaloi tek Zeniti.
Një nga mediat ruse, duke iu referuar burimeve brenda klubit nga Shën Peterburgu, shkruan pikërisht se transferimi dështoi për këtë arsye. Logjika ta do që të mendosh se Zeniti mund të ketë kërkuar nga futbollisti që ta hiqte tatuazhin, dhe ky të mos ketë pranuar.
Vetë presidenti i këshillit të drejtorëve në klub, Medvedev pohoi se “mosmarrëveshjet nuk kishin të bënin vetëm me paratë”.
Besohet se Daku kërkoi të paktën 3 milionë euro në sezon, ose ndoshta deri në 3.5 milionë, por klubi rus i ofroi deri në 2.2 milionë.
Transferimi nga Rubini tek Zeniti do të arrinte nivelin e 10 milionë eurove, ndërsa tani lojtarit i takon që të bashkohet me ekipin e tij në 20 korrik për fazën përgatitore.