Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar me tone të ashpra pas sulmeve të fundit ruse në disa rajone të vendit, duke deklaruar se veprimet e Moskës tregojnë një gjendje të rëndë shpirtërore e morale: lodhje nga lufta, urrejtje dhe një dëshirë për të shkatërruar jetën e kombeve të tjera.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, të raportuar nga agjencia ukrainase UNN, Zelensky u ndal tek sulmi i dyfishtë i forcave ruse ndaj qytetit të Khersonit, që përfshiu edhe goditjen e ndërtesës së administratës rajonale – një objekt civil që është goditur disa herë më parë.

“Ky ishte një sulm demonstrativ. Asnjë kuptim ushtarak. Çdo sulm i tillë nuk ka lidhje me të ashtuquajturat ‘shkaqe rrënjësore’ të luftës për të cilat flet Moska. Ka të bëjë vetëm me urrejtjen e tyre të sëmurë,” tha ai.

Zelensky theksoi se agresioni rus mund të ndalet vetëm me forcë – forcën e diplomacisë, të sanksioneve, të armëve dhe të teknologjisë. Ai tha se Rusia është krenare për aftësinë e saj për të vrarë dhe se nuk ka mësuar asgjë tjetër veç shkatërrimit.

“Dronët rusë sot vranë familjen e një shpëtimtari ukrainas në Pryluky, në rajonin e Chernihiv. Jeta e tij iu kushtua shpëtimit të të tjerëve, dhe Rusia ia mori jetën,” deklaroi ai, duke përmendur gjithashtu sulme të tjera në Kharkiv, Donetsk, Sumy, Nikopol, Zaporizhzhya dhe rajonin e Khersonit.

Zelensky shprehu zhgënjimin ndaj komunitetit ndërkombëtar, duke thënë se Rusia po vazhdon sulmet sepse “bota, për fat të keq, ua lejon atyre ta bëjnë këtë”, por shtoi se “shumë njerëz në botë janë ende me ne.”

Ai konfirmoi se delegacioni ukrainas po zhvillon takime në Uashington me zyrtarë amerikanë dhe anëtarë të Kongresit, ku është gjetur mirëkuptim dhe mbështetje.

“Ne shpresojmë për hapa të fortë – kjo është ajo që mungon aktualisht. Dhe vetëm veprime të tilla mund t’i bëjnë horra të tillë në Moskë të kuptojnë se nuk do të jenë më në gjendje të zhvillojnë luftë,” tha presidenti ukrainas.

Në përfundim, ai theksoi nevojën për sanksione të reja dhe presion politik ndaj Kremlinit, duke akuzuar Rusinë se ka refuzuar çdo nismë paqeje ndërkombëtare:
“Ata nuk duan asgjë. Ata duan vetëm rrënojat dhe vrasjet. Dhe duhet të mbahen përgjegjës për këtë.”