Në 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka dhënë një mesazh mbi rrugëtimin demokratik të vendit dhe reformat institucionale që e kanë shoqëruar.
“30 vjet më parë Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës, një hap kyç në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut”, shkruan Spiropali.
Ajo thekson se konsolidimi i institucioneve demokratike dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë mbetet një prioritet i Kuvendit, ndërsa nënvizon daljen e Shqipërisë nga faza e monitorimit të KiE më 21 prill 2024, si rezultat i reformave të thella në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.
Spiropali shprehu mirënjohje për kontributin e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE, si dhe përsëriti qëndrimin e qartë të Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë:
“KiE nuk është e plotë pa Republikën e Kosovës. Anëtarësimi i saj duhet të ndodhë sa më shpejt.”
Në fund, ajo e cilësoi këtë përvjetor si një moment për të reflektuar mbi progresin dhe për të shumëfishuar përpjekjet për Shqipërinë europiane.
Mesazhi i plotë:
“30 vjet më parë Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës, një hap kyç në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.
Ky përvjetor na kujton se angazhimi i vazhdueshëm për konsolidimin e institucioneve e vlerave demokratike dhe progresi në sistemin e pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, mbetet prioritet i Kuvendit.
Si rezultat i reformave transformuese në sistemin e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, forcimit të institucioneve demokratike dhe përparimit në zbatimin e standarteve të të drejtave të njeriut, gjatë kësaj legjislature, në 21 prill 2024, Shqipëria doli nga faza e monitorimit të Këshillit të Europës.
Si vendi kandidat pararojë për anëtarësim në Bashkimin Europian, ky është moment për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkuar dhe për të shumëfishuar kontributet për Shqipërinë Europiane.
Është rasti të përsërisim qëndrimin e vendosur të Shqipërisë se Këshilli i Europës, kjo organizatë prestigjoze e me impakt global, është jo e plotë pa Republikën e Kosovës dhe se anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të ndodhë sa më shpejt.
Si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për kontributin konsistent, të vlerësuar e të spikatur të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE, për të gjitha çështjet kyçe përgjatë këtyre katër viteve.”